Site icon Telegrafi

Pa dorashka dhe ndërsa bora binte pa pushim, policët heronj ndihmojnë familjen e bllokuar në borë (Video)

Bora ka shkaktuar shumë probleme sidomos në zonat malore të Shqipërisë. Një prej zonave problematike është edhe qarku i Dibrës.

Dje ndërsa grupi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës ka ndihmuar një familje që ka rrezikuar jetën dhe që mund të ishte bllokuar në borë për orë të tëra.

Rreth orës 00:30 grupi i FNSH Shkodër gjatë patrullimit në aksin rrugor Kukës-Burrel, kanë vënë re një automjet që ka rrëshqitur në borë dhe drejtuesi ka humbur kontrollin, çka ka bërë që makina të kthehet në sens të kundërt në rrugë.

Forcat e Policisë së Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër kanë ndërhyrë duke i dhënë ndihmë.

Megjithëse pa dorashka dhe ndërsa bora binte pa pushim, në videon e dërguar nga familjarët në BalkanWeb efektivët duken ndërsa shtyjnë automjetin ku ndodheshin 4 anëtarë të një familje, mes tyre 2 fëmijë të mitur dhe duke përdorur forcën kanë kthyer makinën në korsinë e duhur dhe familja ka vijuar rrugën për në Fan të Mirditës pa problem.

Familjarët kanë falënderuar forcat e FNSH për ndihmën e dhënë. Ndërsa temperaturat janë disa gradë nën zero dhe reshjet e dëborës kanë vijuar gjatë gjithë kohës, efektivët e Policisë Rrugore, patrullat e përgjithshme dhe FNSH-të, iu kanë dhënë ndihmë drejtueseve të automjeteve në 62 raste gjatë natës në Dibër Burrel, Bulqizë, Kukës e Shkodër.

Exit mobile version