Votimi i Projektligjit për buxhetin e vitit 2021 ka mbetur peng i situatës së re të krijuar në Kosovë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e konsideroi zgjedhjen e qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, jokushtetuese. Ky vendim e çon Kosovën në zgjedhje të parakohshme, aktualisht pa mjete për realizimin e tyre.
Projektligji për ndarje buxhetore është sjell në kuvend nga ana e qeverisë dhe ndodhet në shqyrtim të Komisionit për buxhet dhe transfere në Kuvendin e Kosovës.
Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm është projektuar në vlerë prej 2.4 miliardë euro.
Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është data 31 dhjetor.
Nëse buxheti nuk miratohet deri në këtë datë, në bazë të procedurave ligjore, kuvendi me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.
Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një takimi me komunitetin e biznesit në vend, ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm.
KQZ: Nuk ka para për zgjedhje
Në anën tjeter, zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për procesin zgjedhor, i cili nuk është i planifikuar.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë është në pritje të vendimit që shpall datën e zgjedhjeve në mënyrë që të fillojë me përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve. KQZ-ja do të përgatisë me kohë kërkesën buxhetore të cilën do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës, në kohën kur shpallen këto zgjedhje”, tha Elezi.
Buxheti për organizimin dhe mbajtjen e procesit zgjedhor në vitin 2019 ishte rreth 6 milionë euro.
Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi thotë se është mirë që kuvendi aktual jo vetëm për shkak të zgjedhjeve, por që të mos ketë edhe bllokadë buxhetore, të miratojë buxhetin për vitin 2021.
“Të gjitha ndarjet buxhetore mbyllen më 31 dhjetor. Nëse zgjedhjet mbahen vitin e ardhshëm në dymujorin e parë, atëherë mund të ndahen vetëm 16 për qind e shumës së përgjithshme të buxhetit aktual (buxheti 2020) për procesin zgjedhor e që është e pamjaftueshme për të përmbyllur një proces zgjedhor”, thotë ai.
Murati: Buxheti të miratohet nga qeveria e re
Kryetari i Komisionit parlamentar për buxhet dhe transfere, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se buxheti duhet të miratohet nga qeveria e cila do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme.
Ai nuk e sheh asnjë problem për paratë që duhet të ndahen për zgjedhjet e reja.
“Tash e tutje nuk mund të shtyhen përpara vendime dhe buxhete të një qeverie ilegale, kështu që buxheti i ri i mbetet qeverisë pas zgjedhjeve, qeverisë së re që formohet me legjitimitet të plotë. Sa i përket hapësirës për të mbuluar shpenzimet, sipas ligjit parashihet që nëse ka zgjedhje dy muajt e parë mbulohet, kurse muaji mars mund të zgjatet me vendim të kuvendit”, thotë ai.
Që nga viti 2010, asnjë qeveri e Kosovës nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katërvjeçar, çka si pasojë ka imponuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka thënë para gazetarëve se është urgjente që të miratohet Ligji për buxhetin e vitin 2021, para se vendi të shkojë në zgjedhje.
“Duhet të gjejmë fuqi politike që të miratohet buxheti i vitit 2021. Kjo ka peshë për secilën familje në Kosovë, pasi që ky buxhet është i ndërlidhur edhe me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, është i lidhur me pagat, me sistemin social, pensionet, e gjithsesi nëse na duhet si shtet edhe me blerjen e vaksinave COVID-19”, tha Abrashi.
Cakolli: Buxheti të trajtohet para shpalljes së zgjedhjeve
Analisti Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e kuvendit, thotë se ekziston rreziku real që Kosova të mbetet pa buxhet dhe pa ekzekutimin e pagesave.
Ai thotë se është e rëndësishme që subjektet politike, në takimet që kanë nisur me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, të trajtojnë edhe çështjen e buxhetit.
“Koha është tejet e limituar. Nëse eventualisht arrihet dakordim për buxhetin duhet të votohet sot apo nesër më së largu, për shkak se në kuptim të funksionimit kushtetues të institucioneve, ushtruesja e detyrës së presidentit nuk do të duhej të prolongonte procesin e shpalljes së zgjedhjeve, pasi që kur bëhet fjalë për formim të institucioneve, nuk duhet të zgjatet procedura e tyre”, thotë Cakolli.
Cakolli shton se me vendimin e gjykatës tash është çështje orësh apo ditësh kur do të shpallen zgjedhjet e reja dhe sipas tij, kjo nënkupton që kuvendi nuk do të ketë autoritetet për t’u mbledhur dhe për të votuar një buxhet për të pasur mjete për organizmin e zgjedhjeve apo ekzekutimin e pagesave tjera si dhe për të marrë vendim për zgjatje të ndarjeve buxhetore.
Ai thotë se bazuar në praktikën e deritanishme të tejzgajtur të konstituimit të institucioneve, atëherë ekziston rreziku që nuk mund të krijohet një qeveri e re brenda muajit shkurt, e cila do të mund të sillte në kuvend Projektligjin për buxhetin.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani të martën ka filluar takimet me përfaqësuesit politikë për të diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. /rel/Telegrafi/