Ikona e muzikës rok, Ozzy Osbourne, është detyruar ta anulojë turneun muzikor për shkak të një inflamacioni të rëndë të mushkërive – raporton BBC.
Ish-frontmeni i “Black Sabbath” i kishte anuluar më herët koncertet në Britani të Madhe dhe në Evrope që duhej t’i mbante në kuadër të turneut “No More Tours 2”.
Ndërsa tani, ai i ka anuluar të gjitha koncertet e planifikuara edhe në Australi, Zelandë të Re dhe Japoni.
Gruaja e tij, Sharon Osbourne, në një postim në Twitter ka thënë se burri i saj e ka kaluar fazën më të vështirë të sëmundje, mirëpo mjekët e kanë këshilluar muzikantin që të qëndrojë në shtëpi për gjashtë javë, në mënyrë që të shërohet në tërësi.
Në muajin janar, Ozzy ishte sëmurë nga gripi dhe bronkiti, prandaj e anuloi turneun në Britani të Madhe dhe vendet tjera evropiane.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të rokerit, ai ka thënë se ndihet i shkatërruar për anulimin e koncerteve dhe se do të kthehet në muajin shtator.
John Michael “Ozzy” Osbourne i njohur si ‘Princi i Errësirës’ është një kantautor britanik, i cili u bë i famshëm në vitet e shtatëdhjeta si vokalist i bendit legjendar “Black Sabbath”, ndërsa më vonë e ka vazhduar edhe karrierën solo. /Telegrafi/