Mesut Ozil i dërgoi një mesazh dyshes së Manchester Unitedit, Harry Maguire dhe Andre Onana, pasi ata dolën si heronj në fitoren 1-0 të Ligës së Kampionëve ndaj Copenhagen.
Pas humbjeve radhazi 3-2 ndaj Bayern Munich dhe Galatasaray, United mori pikët e tyre të para në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
Pikërisht kur dukej se do të ishte një natë zhgënjyese për Djajtë e Kuq, Maguire u shfaq me golin që e çau bllokimin në minutën e 72-të, duke qenë ky edhe goli i fitores.
Mbrojtësi i Anglisë vazhdoi historinë e tij të shpengimit pas një paraqitje brilante ndaj Sheffield United të shtunën ku u zgjodh ‘lojtari i ndeshjes’.
Ishte e qartë për të parë se sa shumë do të thoshte për Maguire, të cilit i është dashur të përballet me shumë abuzime dhe kritika.
Por, pati edhe një kontribut të plotfuqishëm edhe nga portieri Onana, një tjetër lojtar nën vëzhgim intensiv dhe kritika të mëdha nga fillimi i sezonit.
United pranoi një penallti në minutat shtesë të lojës, kur Scott McTominay u gjykua se kishte kryer një faull, por Onana priti goditjen e Jordan Larsson.
Kështu, pas ndeshjes, ish-ylli i Arsenalit dhe Real Madridit, Ozil, komentoi vështirësinë që dyshja i është dashur të përballet.
“Harry Maguire dhe Andre Onana e meritojnë këtë – duke heshtur urrejtësit e tyre”, ka shkruar Ozil në platformën X. /Telegrafi/
Harry Maguire & Andre Onana deserve that – silencing their haters 🤫 #UCL #ManUnited
— Mesut Özil (@M10) October 24, 2023