Histori lidhjeje intime, vrasje, pusulla me adresa të lëna pas dhe vetëvrasje. Ky është skenari i një ngjarjeje të rëndë, me viktima në Kavajë e në Lushnje. Fillimisht policia ka marrë njoftimin se në fshatin Krutje të Siperme, ishte vetëvrare 65-vjeçari, Sokrat Shani.
Në fillim u duk një vetëvrasje, por njoftimi i policisë se ishte gjetur një viktimë, u pasua me një tjetër informacion: pranë trupit të tij, ishin gjetur 3 letra. Në njërën prej tyre ishte lënë një adresë dhe një emër. Adresa ishte në Golem të Kavajës dhe emri ishte i një vajze.
Letra parashikonte tragjedinë dhe policia e ka zbuluar këtë në adresën e përmendur në të. E vdekur dhe me shenja dhune në trup, është gjetur 29-vjeçarja, Jonida Çanaku, banuese në Kryekuq të Divjakës.
Sipas deklarimeve të familjarëve ajo kishte dy ditë që ishte larguar nga banesa. Policia thotë se nga këqyrja e të dyja vendngjarjeve dhe të gjitha provat e mbledhura, rezulton se Sokrat Shani është autor i vrasjes së Jonida Çanaku, me të cilën shoqërohej kohët e fundit dhe sipas policisë kishte një lidhje intime.
Shani dyshohet se e ka mbytur 29-vjeçaren, ndërsa policia ka gjetur edhe 2 letra të tjera, ku Sokrat Shani shkruante se është vetëvrarë dhe ku shpjegon se Jonidën e ka vrarë në kushtet e gjëndjes së rënduar psikologjike.
Mësohet se 65-vjeçari ishte i divorcuar dhe paraprakisht krimin e dyfishtë mund të ketë kryer për shkaqe xhelozie ndaj partneres së tij fatkeqe, 36 vjet më të re se vetja.
Një dramë që ka përfshirë dy fshatra afër njëri-tjetrit dhe një histori e cila me gjasë do përflitet edhe shumë kohë më pas./tch/