Site icon Telegrafi

Osmani: Zgjedhjet lokale janë testi i parë i qeverisë para BE-së

“Maqedonia ballafaqohet me krizë politike, ndërsa zgjedhjet lokale janë testi i parë për qeverinë e re në rrugën e eurointegrimeve”, deklaroi zv.kryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në intervistën për “Wiener Zeitung” të dhënë gjatë pjesëmarrjes në Konferencën për rajone dhe qytete evropiane të Institutit të Rajoneve të Evropës (IRE) në Salzburg.

I pyetur se si e komenton mosbesimin e qytetarëve tek politika, Osmani tha se kriza politika e lënë pas ka ndikuar në këtë. Ai tha se për qeverinë e re më e rëndësishme është të sigurohet marrja e papengueshme e pushtetit dhe vendi përsëri të kthehet në rrugën evropiane, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Kriza i zbardhi disa gabime të caktuara sistemore. Duhet të njëjtat t’i mënjanojmë. Zhvilluam plan, të cilin e quajtëm “tre, gjashtë, nëntë”. Në tre muajt e parë deshëm t’i përgatisim zgjedhjet lokale. Ato duhet të vijojnë si të lira, korrekte dhe kredibile. Ky është testi i parë për Qeverinë. Besoj se marrëdhënia e saj mund të shfaqet edhe në vetë ditët zgjedhore: këtu mund të shihet se si një qeveri i trajton mediat, votuesit, institucionet. Etapat “gjashtë” dhe “nëntë” u dedikohen reformave në më shumë sfera: përforcimin e qeverisjes të së drejtës, sigurisë, administratës publike”, tha Osmani.

Ndërsa sa i përket kontestit me Greqinë, Osmani tha se viti 2018 ofron shans të artë për zgjidhjen e kontestit me emrin.

“Presim se pas zgjedhjeve lokale ndërmjetësi i OKB-së do të prezantojë propozime konkrete. Atëherë duhet të takohemi edhe ta zgjidhim problemin. Kjo është vendimtare për anëtarësimin e ardhshëm të Maqedonisë në NATO dhe BE”, deklaroi Osmani./Telegrafi/

Exit mobile version