Në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani realizoi takim me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, njoftojnë nga MPJ.
“Në takim, Ministri Osmani e përshëndeti Raportin e publikuar të KE-së së fundmi për Maqedoninë e Veriut, i cili e njeh progresin përgjithësisht të mirë reformues të vendit, veçanërisht në fushat e përfshira me kllasterin fundamental dhe në kapitullin për politikën e jashtme, të mbrojtjes dhe sigurisë, ku u vlerësuam me notën më të lartë “Progres shumë i mirë”, duke pasur parasysh para së gjithash, respektimin 100 % të qëndrimeve të politikës së jashtme të BE-së.
Ministri e informoi Komisionerin evropian për procesin e skriningut, si fazë e parë dhe veçanërisht e rëndësishme në procesin e negociatave me BE-në, si dhe për përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për ta rrumbullakuar atë në kohë, në nëntor të vitit të ardhshëm, duke u fokusuar mbi detyrimet e brendshme që na presin deri në hapjen e kllasterit themelor”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Osmani, shtojnë nga atje, shprehu mirënjohjen e tij për punën e Komisionit Evropian në lidhje me planin për ballafaqimin me krizën energjetike për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me të cilin pritet të propozohen fonde financiare për adresimin e nevojave urgjente, afatshkurtra dhe afatmesme në rajonin tonë. Në këtë kontekst, Varhelyi paralajmëroi pako financiare për rajonin, në vlerë prej 1 miliard euro, për zbutjen e efekteve të krizës energjetike./Telegrafi/