Telegrafi

Osmani: UNICEF çdoherë e ka ndihmuar Maqedoninë në kohë krizash

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani sot u takua me përfaqësuesin e UNICEF-it në Republikën e Maqedonisë, Benjamin Perks, njoftohet nga kabineti i Osmanit përmes një kumtese për Telegrafi Maqedoni.

Në takim Zëvendëskryeministri Osmani theksoi falënderime të sinqerta deri tek Benxhamin Perks lidhur me aktivitetet e vazhdueshme të cilat i zbaton UNICEF në Republikën e Maqedonisë, qëllimi i së cilit është mbështetja dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve.

“Në bashkëpunim me institucionet shtetërore, shoqëritë civile, por edhe ekspertë, UNICEF bëri shumë lidhur me përmirësimin e jetesës së shumë fëmijëve në vend, veçanërisht kategorive më të prekura. Për këtë jemi falënderues si vend, por dua edhe ta shpreh falënderimin tim të sinqertë”, deklaroi Osmani.

Zëvendëskryeministri Osmani theksoi falënderim edhe për mbështetjen e fuqishme si dhe rolin e UNICEF-it gjatë kohës së krizës së migrantëve, përmes sigurimit të ndihmës për fëmijët- refugjat dhe migrant që kalojnë përmes vendit tonë, duke marrë në konsideratë nevojat e tyre bazike si ushqim, ujë, veshmbathje dhe objekte higjienike. Ai shtoi se aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian bazohen pikërisht në pranimin dhe zbatimin e vlerave evropiane, si që është mbrojtja dhe avancimi e të drejtave të fëmijëve.

Dy bashkëbiseduesit u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme dhe me sukses të zbatojnë programet e reja prioritare të UNICEF-it për Republikën e Maqedonisë, 2016-2020.

Nga viti 1993, kur filloi me punë, UNICEF Maqedoni zbatoi projekte destinuara për fëmijë në vlerë prej më shumë se 13 milion eurosh. /Telegrafi/