Site icon Telegrafi

Osmani: Të sigurojmë absorbim më të madh të fondeve nga BE-ja për infrastrukturë dhe energjetikë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në rolin e koordinatorit kombëtar për IPA (NIPAK), së bashku me kolegun e tij zëvendëskryeministrin e Qeverisë, përgjegjës për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, udhëhoqën takimin koordinues të ministrave të Komitetit Kombëtar Investues.

Takimi, siç theksojnë, u realizua në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane, në prani të më tepër ministrave, zëvendësministrave, si dhe përfaqësues të tjerë dikasterial të ministrive, përgjegjës për alokim dhe implementim të projekteve të financuara përmes ndihmës së huaj.

Takimi u realizua me qëllim që të shqyrtohet përbërja e KKI-së dhe Listës së Vetme të Projekteve, ndërsa u shqyrtuan edhe propozim projektet potenciale të cilat janë të gatshme për aplikim dhe të cilat përmbushin kërkesat e Instrumentit Kornizë për Investime në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në përputhje me agjendën e BE-së për ndërlidhje (e ashtuquajtura “connectivity agenda”) dhe Programit të punës së Qeverisë 2017-2020, në takim u dhanë rekomandime për rishikimin e së njëjtës nga ana e ministrive kompetente, nga aspekti i statusit të realizimit të projekteve.

“Obligimi ynë është që të sigurojmë absorbim sa më të madh të fondeve të parapara për ndërlidhje infrastrukturore dhe energjetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është bazë për bashkëpunim më të madh të ndërsjellë, zhvillim më të shpejtë ekonomik, por edhe mënyrë më të mirë për ti tejkaluar dallimet politike dhe mbyllje të çështjeve të hapura me fqinjët”, deklaroi Osmani në takim, duke potencuar edhe rëndësinë e realizimit të fondeve të Bashkimit Evropian për Maqedoninë.

Në mënyrë plotësuese, zëvendëskryeministri Osmani dha udhëzime lidhur me parakushtet për funksionim më të suksesshëm dhe shfrytëzim të fondeve nga IPA 2, në veçanti të fondeve rajonale në pjesën e infrastrukturës në sektorin e transportit, energjetikës dhe mjedisit jetësor.

Komiteti Kombëtar i Investimeve (KKI) është organ këshillëdhënës, i cili në mënyrë transparente radhit projektet infrastrukturore strategjike. Ky organ u formua me qëllim të planifikimit më të mirë të projekteve, të përcaktohet prioriteti i tyre dhe të ndahen mjetet për infrastrukturë të transportit dhe lidhjes energjetike në vend me vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.

Exit mobile version