Telegrafi

Osmani: Shkëndija e nisi ndeshjen keq dhe nuk i shfrytëzoi rastet

Qatip Osmani (Foto: KFShkendija.com)

Shkëndija pësoi humbje prej 3-0 në ndeshjen e parë e raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Red Bull Salzburgut.

Kampioni i Maqedonisë do ta zhvillojë ndeshjen kthyese pas një jave në stadiumin Filipi II në Shkup, ku do të përpiqet ta përmbysë këtë rezultat të lartë.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes Red Bull Arena, trajneri Qatip Osmani pranoi se ekipi nuk e nisi sfidën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ai shprehu keqardhje që skuadra nuk mundi të shënonte të paktën një gol nga disa mundësi të mira që krijoi para portës kundërshtare.

Lexo po ashtu Lajmet për Shkëndijën

“Është fakt se ndeshjen nuk e nisëm ashtu si që u morëm vesh. Me kalimin e minutave e gjetëm veten, konsoliduam lojën dhe krijuam disa mundësi që për fat të keq nuk i shfrytëzuam”.

“Kemi rezultat të keq, por sigurisht se do të përgatitemi dhe do të japim më të mirën nga vetja në ndeshjen e kthimit në Shkup”.

“Mendoj se është shumë e natyrshme të besosh në deri sa ka gjasa minimale, edhe pse e përsëris se kemi rezultat shumë jo të favorshëm”, është shprehur Osmani. /Telegrafi/