Telegrafi

Osmani: Rezultati i ndeshjes së parë ndaj Salzburgut ishte vendimtar, të përgatitemi për Europa League

Qatip Osmani (Foto: KFShkendija.com)

Shkëndija u eliminua nga Liga e Kampionëve në raundin e tretë kualifikues duke pësuar me rezultat të përgjithshëm prej 4-0 nga Red Bull Salzburgu.

Kampioni i Maqedonisë humbi me rezultat 3-0 në takimin e parë në Austri dhe trajneri Qatip Osmani mendon se pikërisht ky rezultat ia pamundësoi skuadrës së tij kualifikimin, pasi ishte thuajse e pamundur të përmbysej.

Ekipi nga Tetova bëri paraqitje të mirë në ndeshjen kthyese në Shkup, mirëpo pranoi gol në minutat shtesë.

Lexo po ashtu Lajmet për Shkëndijën

“Mendoj se diferenca e lojës së parë e bëri të veten. Ne në momente luajtëm mirë dhe krijuam disa raste, megjithëse edhe Red Bull Salzburgu pati mundësitë e veta”.

“Megjithatë duhet të jemi të kënaqur me lojën e treguar edhe përkundër eliminimit”.

“Gjithsesi vazhdojmë në ‘play-off’ të UEFA Europa League, ku me shumë gjasa do të përballemi me Rosenborgun”.

“Bëhet fjalë për skuadër kualitative e cila kohëve të fundit nuk është në nivelin e dikurshëm dhe mendoj se në këtë moment ne mund të kërkojmë shanset tona për hyrje në fazën e grupeve”, ka deklaruar Osmani.

Rosenborgu e ka fituar ndeshjen e parë si mysafir i Cork Cityt (2-0), ashtu që është favorit absolut për të vazhduar në fazën ‘play-off’ të Ligës së Evropës, ku do të ndeshet me Shkëndijën. /Telegrafi/