Site icon Telegrafi

Osmani – Rau: Për Poloninë nuk ka dyshime se Maqedonia e Veriut meriton të fillojë negociatat me BE-në

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij të punës të Republikën e Polonisë u takua me nikoqirin e tij ministrin e Punëve të Jashtme, Zbignjev Rau. Vizita ndodh në prag të samitit të qershorit, në kontekst të angazhimit të përforcuar për fillim zyrtar të negociatave për aderim me BE-në, si qëllim strategjik i vendit dhe imperativ për gjithë rajonin.

Siç njoftojnë nga MPJ, gjatë bisedës, në plan të parë ishin temat aktuale lidhur me proceset eurointegruese të Maqedonisë së Veriut dhe me këtë Osmani e shprehu mirënjohjen e qytetarëve tanë për mbështetjen dhe ndihmën që Polonia na jep në procesin e zgjerimit të BE-së.

U theksua se mbetemi të përkushtuar në implementimin e vazhduar të agjendës reformuese, si dhe të aktiviteteve për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, me fokus të veçantë ndaj Bullgarisë, përmes zbatimit të planit aksionar për intensifikimin e bashkëpunimit sektorial dhe largimin e dallimeve ekzistuese.

“Vazhdojmë të punojmë edhe me një tempo më të përforcuar të agjendës reformuese, duke vënë theks të veçantë në realizimin e planit aksionar për bashkëpunim multi-sektorial dhe tejkalimin e dallimeve ekzistuese me miqtë tanë nga Bullgaria. Në këtë kontekst shpreh falënderim për mbështetjen tradicionale shumëvjeçare të Republikës së Polonisë si dhe për gjithë grupin V4, që në kontinuitet i jep përkrahje të pakushtëzuar rrugës sonë eurointegruese. Më duhet të theksoj se integrimi evropian ka ndikim pozitiv në procesin e transformimit të shoqërisë sonë, dhe për më tepër paraqet edhe investim të përhershëm në paqe dhe stabilitet të Ballkanit Perëndimor, e me këtë edhe në të gjithë Europën dhe është në interes për të gjitha vendet anëtare”, theksoi Osmani.

Ndërsa ministri Rau e riafirmoi mbështetjen e fuqishme të vendit të tij për të filluar pa vonesa negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe deklaroi se ekziston konsensus i qartë rreth kësaj çështjeje edhe në nivel të grupit të Vishegradit, me të cilin Polonia kryeson deri më 30 qershor të këtij viti.

Theks i veçantë u vë në bisedimet për bashkëpunim në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) me të cilin Polonia kryeson gjatë vitit 2022. Ky bashkëpunim, qëllimi i të cilit është promovimi i vlerave mbi të cilat bazohet Organizata- demokracia, paqja dhe stabiliteti përmes ndërtimit të besimit, dialogut dhe transparences, merr rëndësi në kontekstin e presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.

Gjatë qëndrimit në Varshavë, shefi i diplomacisë, Osmani realizoi takime të ndara edhe me kryetarin e komisionit për çështje të jashtme dhe të BE-së në Senatin e Polonisë, Bogdan Klih me të cilin diskutoi kryesisht për agjendën e ardhshme europjane të Maqedonisë së Veriut.

Exit mobile version