Site icon Telegrafi

Osmani: Presim që Kroacia të lobojë për aspiratat evropiane të Maqedonisë

Zv.kryeministri për Çështje Evropiane,Bujar Osmani, sot realizoi takim me ambasadoren e Kroacisë në Maqedoni, Daniela Barishiq. Në takim Osmani informoi ambasadoren Barishiq për Planin 3-6-9 e cila u prezantua dje për herë të parë para publikut dhe në të cilën janë shënuar Reformat Prioritare të Qeverisë për ç‘frenimin e proceseve eurointegruese, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Kemi Qeveri reformuese, e cila që nga fillimi iu përkushtua zbatimit të reformave dhe pranimit të të gjitha vërejtjeve dhe rekomandimeve nga ana e Bashkimit Evropian si dhe dokumenteve relevante që shënojnë gjendjen në Maqedoni”, theksoi Osmani.

Ai iu referua bashkëpunimit të ndërsjellë, duke rikujtuar aktivitete e shumta për shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve, prej të cilave njëra nga më të rëndësishmet ishte tuning projekti i fundit për përforcimin e mekanizmave të BE-së për koordinim. Gjithashtu, në frymën e miqësisë së gjatë, Osmani kërkoi dhe mbështetje nga Kroacia për aspiratat evropiane të Republikës së Maqedonisë.

Në fund të takimit, bashkëbiseduesit u dakorduan se bashkëpunimi mes dy vendeve është miqësor, po që duhet të vazhdojë me intensitet më të lartë, Kroacia si vend më e re anëtare e BE-së ka përvojë më të freskët në procesin e bisedimeve me Unionin, e cila mund ti ndihmojë shumë Republikës së Maqedonisë./Telegrafi/

Exit mobile version