Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot me video-fjalim në Samitin e Platformës së Krimesë, ritheksoi mbështetjen që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë i jep Ukrainës, e cila po përballet me agresionin ushtarak rus që nga 24 shkurti i vitit 2022, njoftojnë nga MPJ.
Siç tha Osmani, ky Samit edhe një herë tregon unitet dhe vendosmëri kundër agresionit ushtarak të Rusisë.
“Kjo luftë është një kërcënim për të gjithë ne, lirinë tonë dhe demokracitë tona. Кјо gjithashtu pаraqet rrezik për Organizatën tonë. Pavarësisht përpjekjeve të ndryshme multilaterale dhe bilaterale, ajo vazhdon të kërcënojë seriozisht stabilitetin, sigurinë e njerëzve dhe atë të përgjithshme të të gjithë rajonit të OSBE-së dhe më gjerë. Po e shkatërron jetën e shumë njerëzve në Ukrainë”, tha Osmani.
Megjithatë, theksojnë nga MPJ, kjo situatë mund të zbutet dhe të tejkalohet përmes përkushtimit ndaj parimeve të OSBE-së dhe mbështetjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
“OSBE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në këto kohë të vështira. Programi i ri i Mbështetjes përfshin ndihmë në çminimin humanitar, promovimin e sundimit të së drejtës dhe zbutjen e ndikimeve ekologjike dhe ekonomike të agresionit ushtarak rus. Të gjitha këto masa kanë për qëllim lehtësimin e vuajtjeve të njerëzve, sepse ata janë në qendër të kryesimit tonë me OSBE-në”, thotë Osmani dhe shton se kjo vlen edhe për banorët e Krimesë, të cilët gjithashtu e ndjejnë ndikimin e ashpër të luftës.
Në fjalimin e tij, Osmani njoftoi se në cilësinë e Кryesuesit të OSBE-së do të vizitojë edhe një herë Ukrainën, si dhe se OSBE-ja do të mbetet e përkushtuar dhe proaktive në mbështetjen e saj për Ukrainën dhe ukrainasit përmes angazhimit të përbashkët me shoqërinë civile dhe aktivistët e të drejtave të njeriut.
Nga atje shtoi Osmani ritheksoi se zgjidhja paqësore e kontesteve dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë prioritetet kryesore të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në dhe se përgjegjësia, si një parim tjetër i rëndësishëm i OSBE-së duhet patjetër të ekzistojë – drejtësia gjithmonë triumfon, theksoi Osmani në fjalimin e tij./Telegrafi/