“Plani 3-6-9″ është projekt i tërë shtetit, i shoqërisë në tërësi, projekt i organizatave joqeveritare. Ai është reflektim i prioriteteve të Qeverisë ta kthejë agjendën reformuese, gjegjësisht ta kthejë vendin në rrugën euroatlantike dhe të orientohemi drejt vlerave evropiane”, theksoi zv.kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në prezantimin e sotëm të projektit për ndjekjen e implementimit të “Planit qeveritar 3-6-9”.
Ai shtoi se Maqedonia kaloi nëpër një krizë të vështirë politike e cila ka lënë pasoja me ndikim të gjerë në shoqëri përmes polarizimit në institucione, por edhe ndaj imazhit të shtetit para miqve ndërkombëtarë dhe para bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Qëllimi i Qeverisë ishte të kthehet fillimisht vendi në atë rrugë euroatlantike, megjithatë të hiqet rekomandimi i kushtëzuar të cilin e fituam në raportin e fundit, ndërsa kushtet ishin zgjedhje korrekte
dhe demokratike dhe adresim i prioriteteve urgjente reformuese. Megjithatë, para së gjithash, qëllimi ishte të krijojmë shoqëri evropiane për qytetarët tanë. Jo vetëm nevoja formale të bëhemi anëtare e BE-së, por të bëjmë shtet në të cilin do të jetohet sipas vlerave evropiane. Dhe pikërisht për këtë e bëmë Planin 3-6-9”, tha Osmani.
Ai theksoi se ky proces i cili është me interes strategjik për shtetin nuk mund të jetë ekskluziv i një qeverie, i një partie politike ose një bashkësie etnike.
“Ky është proces në të cilin secila qeveri apo çdo parti politike ka vënë nga një tullë më shumë në këtë rrugë. Edhe ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i vendosur
në nivel mbipartiak, në nivel mbietnik. Plani 3-6-9 nuk është projekt i Qeverisë. Ky është projekt i tërë shtetit, i shoqërisë në tërësi, projekt i organizatave joqeveritare, projekt i çdo qytetari, i çdo akademiku, i çdo mësimdhënësi, i çdo punëtori. Qëllimi është të bëjmë shoqëri evropiane, qëllimi është të bëhemi pjesë e familjes evropiane”, tha Osmani.
Shoqëria civile, shtoi Osmani duhet të jetë pjesë nga implementimi i këtij projekti, të pjesë thelbësore nga sistemi i cili e vëzhgon procesin. Ai e përshëndeti nismën për ndjekjen e implementimit të “Planit qeveritar 3-6-9”, si dhe pjesëmarrjen në projektin e Fondacionit Konrad Adenauer./Telegrafi/