Zv.kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, sot do të udhëtojë për në Berlin ku do të realizojë takime pune me politikanë në Gjermani.
Gjatë ditës së nesërme (16 gusht 2017), Osmani do të realizojë takime me Michael Roth, ministër Shtetëror për Evropë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme dhe Andreas Gis, drejtor për bashkëpunim zhvillimor, në Ministrinë për Ekonomi dhe bashkëpunim zhvillimor të Gjermanisë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Reformat lidhur me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë, në veçanti dinamika e realizimit të masave të Planit 3-6- 9, si dhe mundësitë për mbështetjen gjermane lidhur me zbatimin e tyre do të jetë fokus i bisedimeve. Në takime do të diskutohet edhe procesi i Berlinit si dhe zbatimi i masave nga Agjenda për lidhshmëri që janë të rëndësisë së veçantë për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit rajonal, si segment i rëndësishëm për procesin e aderimit në BE”, thonë nga kabineti i Osmanit.
Në mënyrë plotësuese, në kuadër të vizitës në Berlin, Osmani do të takohet edhe me Christof Beier, nënkryetar i Këshillit Drejtues të GIZ-it si dhe me përfaqësues të Fondacionit “Konrad Adenauer” dhe Fondacionit Fridrich Ebert./Telegrafi/