Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim liderët institucionalë dhe përfaqësuesit politikë nga Lugina e Preshevës.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ai i Bujanocit Nagip Arifi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
Temë diskutimi në këtë takim ishte regjistrimi i popullsisë në Luginën e Preshevës.
“Pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në regjistrimin e popullsisë është kundërpërgjigje paqësore kundër politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative”, ka njoftuar Osmani përmes një postimi në Facebook.
Osmani u ka bërë thirrje subjekteve politike në Luginë që të jenë të bashkuara gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.
“Prandaj sot, në takim me liderë institucional dhe përfaqësues politik nga këto tri komuna, diskutuam rëndësinë thelbësore që udhëheqja politike lokale të jetë e bashkuar dhe që shqiptarët – në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë e diasporë, njëzëri t’i përgjigjen regjistrimit të popullsisë”.
Ajo ka përmendur se është interes i shqiptarëve të dihet saktë numri i tyre që jetojnë në këto treva.
“Është në interes të të gjithë bashkëkombësve tanë në këto treva që numri i përgjithshëm i popullsisë të jetë reflektues i vërtetë i shqiptarëve, gjë që do të mundësojë rritjen e përfaqësimit politik, e rrjedhimisht, më shumë të drejta për ta”, ka përfunduar Osmani./Telegrafi/