Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani përmes një postimi në Facebook ka thënë se është në komunikim të rregullt me Ministren e Jashtme bullgare Teodora Gençovska për të tejkaluar mosmarrëveshjet gjatë presidencës franceze të BE-së, duke shtuar se ka pasur iniciativa të shumta nga partnerët ndërkombëtarë me idetë e tyre në këto bisedime, duke përfshirë Francën si mbajtëse aktuale të Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Duke qenë aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillohet Dialogu Strategjik mes dy vendeve, ndihem i detyruar t’u përgjigjem disa pyetjeve që po mbërrijnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe që kanë të bëjnë me bisedimet që po zhvillohen me Republikën e Bullgarisë”, thuhet në njoftimin e Osmanit.
Ai shtoi se është në komunikim të rregullt me homologen e tij bullgare Gençovska, me qëllim që, siç tha ai, të sigurohet intensifikimi i bisedimeve në një periudhë të denjë, në të gjitha nivelet ndërmjet dy ministrive, për të tejkaluar mosmarrëveshjet gjatë periudhës së presidencës franceze të BE-së”.
“Janë të shumta nismat e partnerëve tanë ndërkombëtarë, me idetë e tyre për t’u përfshirë në këto bisedime, ndër të cilat natyrisht është edhe Franca si kryesuese aktuale e Këshillit të Bashkimit Evropian. Të gjitha palët e përfshira në proces po bëjnë të gjitha përpjekjet për të ofruar një propozim tavoline që do të largoj veton për integrimin tonë evropian, i cili gjithashtu do të ishte në përputhje me qëndrimet për të cilat Qeveria u angazhua përmes një deklarate në Kuvend”, shtoi Osmani në njoftim.