Procesi i negociatave me Greqinë nuk bëhet fshehtë nga qytetarët, por akoma është herët që të shfaqet për publikun, tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani në emisionin e “Top Tema” në Tv Telma.
Ai tha se publiku është jashtë procesit pasi që negociatat janë ende në fazën fillestare dhe ekspozim i tepërt mund të dëmtojë rrjedhën e procesit.
“Ne jemi shumë të kujdesshëm, me siguri Greqia e ka më lehtë në lidhje me çështjen e emrit sepse ardhmëria e tyre nuk varet nga ajo nëse do të zgjidhet kjo çështje tani, nesër ose dikur më vonë. Ne jemi më të kujdesshëm në atë pjesë dhe duam që ky proces të ketë sukses”, tha Osmani, duke shtuar se nuk ka tendenca për jotransparencë ose fshehje nga publiku.
“Thjeshtë duhet të kanalizohet ky debat që të mos lihet hapësirë që dikush ta rrëmbejë debatin ose ta çojë në drejtim të padëshiruar. Ndërsa tendenca të atilla ka dhe do të ketë, të cilët do të dëshirojnë që debatin ta rrëmbejnë për qëllime të tyre që ta pengojnë procesin”, tha Osmani.
Osmani shtoi se, tani për tani Maqedonia ka një sërë idesh të cilat nuk kanë kaluar në propozim konkret.
“Takimi i liderëve ishte me karakter informues dhe liderët e partive të Maqedonisë kërkuan kohë që ta shprehin qëndrimin e tyre. Ne kemi vendosur që të jemi të kujdesshëm, për shkak se jemi seriozë që të gjejmë zgjidhje”, shtoi Osmani./Telegrafi/