Bujar Osmani vazhdoi edhe me një vizitë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Venedik, ku tashmë ka riorganizim shtesë të punës për t’iu dalë në ndihmë sa më shumë qytetarëve dhe për ta shkurtuar kohën e tyre të pritjes në lidhje me marrjen e dokumenteve personale.
Nga tani, Konsullata e Përgjithshme në Venedik do të punojë me dy ndërrime, të shtunave dhe të dielave. Ky orar i punës në Konsullatë do të zgjasë deri në normalizimin e situatës dhe uljen e kërkesave të qytetarëve tanë për shërbime konsullore.
Gjegjësisht, stacioni mobil, i cili përdoret në Konsullatën e Përgjithshme në Venedik, sipas orarit të përcaktuar që më parë, përdoret edhe në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Romë dhe në Maltë.
Osmani kërkoi nga diplomatët në përfaqësi që të bëjnë më shumë përpjekje për të shkurtuar kohën e pritjes gjatë parashtrimit të kërkesës dhe marrjes së dokumenteve të udhëtimit.
“Komoditeti i qytetarëve tanë kur vijnë në Konsullatë, si dhe shërbimet e shpejta dhe efikase, janë detyrë prioritare për të gjithë ne. Sfidat janë të shumta, por duhet të organizohemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme, por arsyeja pse ekzistojnë përfaqësitë është pikërisht lehtësimi dhe tejkalimi i procedurave përmes angazhimit shtesë”, theksoi Osmani.
Me rritjen e numrit të kërkesave për shërbime konsullore nga shtetasit e RMV-së që jetojnë jashtë vendit, Ministria e Punëve të Jashtme plotësisht e ka riorganizuar punën e përfaqësive diplomatike-konsullore, duke forcuar kapacitetet me diplomatë shtesë, duke vendosur në funksion stacione shtesë mobile për fotografim për dokumente të reja udhëtimi dhe duke punuar në dy ndërrime, madje edhe të shtunave dhe të dielave.