Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sot realizoi bisedë telefonike me Zhan- Iv Le Drian, Ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Francës.
Në fokusin e bisedimeve ishte dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut, në dritën e presidencës aktuale franceze me Këshillin e BE-së dhe në këtë drejtim për potencialet e kësaj presidence për progresin e integrimeve të RMV-së.
Nga MPJ thonë se është biseduar edhe për rrjedhën e dialogut politik me Republikën e Bullgarisë dhe gjithsesi edhe për ngjarjet në Ukrainë dhe si të njëjtat reflektohen në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe Evropës në përgjithësi.
“Osmani e uroi kolegun francez, Le Drian për lidershipin e kryesimit francez me Unionin në këto kohëra të vështira, me çka theksoi se uniteti i BE-së e inkurajoi të gjithë botën demokratike, në veçanti vendet e rajonit. Gjatë bisedës telefonike u morën porosi të qarta dhe të pahamendshme për mbështetjen nga ana e Francës; porosi për gatishmërinë tonë për nisje të negociatave, si dhe për rolin e Francës në këtë proces”.
“Gjatë bisedës Osmani informoi Le Drian se Maqedonia e Veriut ka arritur 100% harmonizimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe në këtë kontekst potencoi se perspektiva evropiane dhe rajoni janë kontribut për stabilitet të qëndrueshëm rajonal dhe evropian”, thuhet në njoftimin e MPJ-së./Telegrafi/