Site icon Telegrafi

Osmani: Ndërkombëtarët të mos injorojnë tendencën ruso-serbe për të destabilizuar Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të vendit ku sot është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve, e cila gjendet në objektin e Komunës në Zubin Potok.

Osmani thotë se sulmet e fundit po ndodhin nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia.

“Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuçiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon”, thotë Osmani.

Tutje, presidentja ka shkruar se ndërkombëtarët nuk duhet injoruar tendencën ruso-serbe për të destabilizuar Kosovën.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje de Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike: Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuçiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, thuhet në reagimin e presidentes.

Osmani ka shkruar tutje “Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë”. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version