Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mbajti fjalim në Seancën e 133-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku theksoi rolin e multilateralizmit në ballafaqimin me sfidat e shumta aktuale, njoftojnë nga MPJ.
“Përskaj lëshimeve të tij, multilateralizmi mbetet e vetmja mënyrë për të mobilizuar një përgjigje kolektive ndaj luftërave, krizave, situatave të jashtzakonshme dhe sfidave të pakrahasueshme të natyrave të ndryshme. Këshilli i Evropës mbetet një shtyllë thelbësore në këtë drejtim. Megjithatë, ne shtetet anëtare e mbajmë përgjegjësinë për efikasitetin e tij”, theksoi Osmani.
Në 75 vjetorin e ekzistimit të tij, theksojnë nga atje, Këshilli i Evropës me normat dhe standardet e tij kontribuoi në përmirësimin e jetës së qytetarëve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kultivimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, tha Osmani dhe përshëndeti miratimin e sotëm të Konventës Kornizë për Inteligjencën Artificiale, Të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës, si instrumenti i parë ndërkombëtar në këtë fushë.
“Bashkëpunimi i ngushtë me organizatat tjera ndërkombëtare, veçanërisht me BE-në, OKB-në dhe OSBE-në në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta është i një rëndësie të veçantë”, shtoi Osmani./Telegrafi/