Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Finlandë, së bashku me Drejtoren e Qendrës Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride në Helsinki, Teija Tiilikainen, e nënshkruan Memorandumin për Anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Qendrën e theksuar, me çka Maqedonia e Veriut u bë vendi i 35-të pjesëmarrës, njoftojnë nga MPJ.
Osmani, thonë nga MPJ, theksoi se kyçja e Maqedonisë së Veriut në Qendrën Evropiane po ndodh në një moment jashtëzakonisht domethënës kur e gjithë bota, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, po përballet me sulme hibride të intensifikuara.
“Kyçja e Maqedonisë së Veriut në Qendrën Evropiane të Ekselencës Kundër Kërcënimeve Hibride do të luajë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve nacionale për përballim me këtë lloj të sfidave. Njëherit, pjesëmarrja jonë do të paraqesë vlerë të shtuar, si për Qendrën ashtu edhe për vendet pjesëmarrëse që njëkohësisht janë edhe anëtarë të BE-së dhe NATO-s, për shkak të mundësisë së kontributit tonë në shkëmbimin e informacionit, përvojave dhe praktikave më të mira, nëpërmjet pjesëmarrjes së ekspertëve tanë në Qendër”, theksoi Osmani.
Ministri i Jashtëm theksoi se Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s, në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme po punon për të përmirësuar parandalimin, reagimin dhe trajtimin e kërcënimeve ndaj infrastrukturës kritike dhe burimeve kryesore nga sektori publik dhe privat, për çka ka mbështetje dhe ndihmë nga aleatët dhe vendet partnere.
Në të njëjtën kohë, shtojnë nga atje, Qendra mund të shërbejë edhe si platformë për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me vendet pjesëmarrëse të BE-së, në të gjitha segmentet dhe fushat që mbulon, gjë që do të jetë e rëndësishme për procesin e mëtejshëm të integrimit tonë në BE./Telegrafi/