Site icon Telegrafi

Osmani: Kryesimi me OSBE-në në vitin 2023, edhe një sukses diplomatik për Maqedoninë e Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se në takimin e ministrave të OSBE-së në Tiranë është vendosur me konsensus që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë nikoqire dhe të kryesojë me OSBE-në në vitin 2023.

“Sot ndajmë një sukses diplomatik për shtetin tonë. Me konsensus, gjegjësisht të gjithë 56 shtetet pjesëmarrëse në OSBE, kanë pranuar kandidaturën tonë, me ç’rast edhe zyrtarisht na ndanë kryesimin me organizatën më vitin 2023, që do të pasojë pas Suedisë në vitin 2021, dhe Polonisë në vitin 2022”, theksoi Osmani.

Osmani informoi për rrjedhën e përgatitjeve që do të vijojnë në periudhën e ardhshme, qasjen drejt definimit të propozim programit dhe definimin e prioriteteve tona, detajizimin e konstruksionit financiar, si dhe formimin e ekipit më të gjerë që do të jetë përgjegjës për realizimin e aktiviteteve deri në kryesimin tonë, por edhe pas saj.

“Kryesimi me OSBE-në do të kontribuojë drejt një pozicioni të ri dhe më të mirë ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si veprues konstruktiv dhe kontribues në promovimin e përpjekjeve të OSBE-së, ndërkaq, në mënyrë indirekte do të krijohen edhe mundësi të manifestohet kapaciteti institucional që pritet nga vend anëtar i NATO-s dhe vend pretendent për në BE”, tha Osmani.

Duke folur për suksesin dhe njohjen ndërkombëtare për progresin e dëshmuar që si shtet e demonstruam viteve të fundit, si në pikëpamje të agjendës së brendshme reformuese, kohezionit të brendshëm, posaçërisht përmes modelit unik në raportet multietnike, po ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, rajonal, evropian, por edhe në korniza botërore, Osmani potencoi:

“Kjo para së gjithash do të thotë mundësi edhe për mbështetje më të madhe të opinionit publik në BE për procesin e aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të procesit vijues të bisedimeve për anëtarësim të plotë, por edhe për ndërtimin e reputacionit të vendit ose brendit politik- Republika e Maqedonisë së Veriut, si partnere stabile ndërkombëtare, pjesë e sistemeve shoqërore bashkëkohore, mbështetëse e fortë e multilateralizmit- që përbën një nga pesë prioritetet të politikës së jashtme”.

Exit mobile version