Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani bashkë me Zëvendëskryetarin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj vizituan vendin ku kryhen aktivitetet ndërtimore të projektit Strategjik Belanoc – Stançiq, ku bënë inspektim të punëve ndërtimore dhe progresit të projektit.
“Ky objekt është pikërisht objekt i përbashkët i dy vendeve, gjë që paraqiste edhe një sfidë të veçantë administrative për realizim, duke pas parasysh se për realizimin e tij medoemos duhej të harmonizoheshin rregullat e dy vendeve”, theksoi Osmani, duke shtuar se projekti është i financuar me mjete IPA përmes programit për bashkëpunim ndër-kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës në shumë prej 1.200.000 euro, realizimi i të cilit është në pajtim me rregullat dhe standardet që i vendos Bashkimi Evropian.
“Pikërisht për këtë ky projekt, krahas qëllimit të tij administrativ dhe ekonomik, ka edhe dimensionin e tij të thellë politik, sepse pasqyron marrëdhëniet e mira dhe besimin e ndërsjellë të dy vendeve fqinje”, theksoi Osmani, duke i potencuar edhe projektet tjera që realizohen në drejtim të avancimit të komunikimit të ndërsjellë nga të dy anët e kufirit.
“Dua tua përkujtoj se, për këtë kalim më parë ndërtuam rrugën nga fshati Opajë deri në Bellanoc në gjatësi prej 16 kilometrash; para dy javëve jo të plota u hap edhe autostrada “Arbën Xhaferi” nga Prishtina deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut; së shpejti do të fillojë të ndërtohet edhe pjesa e Maqedonisë së Veriut deri në Shkup, me të cilën kryeqytet e të dy vendeve do të jenë larg vetëm për 40 kilometra”, theksoi Osmani./Telegrafi/