Site icon Telegrafi

Osmani: Këtë vit fillojmë negociata për hyrje në BE

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani sot nga parkingu i Kalasë së Shkupit në mënyrë simbolike – duke udhëtuar me autobus e shënoi fillimin e kapitullit të ri të integrimeve evropiane në republikën e Maqedonisë së Veriut. Osmani është decid se këtë vit fillon negociata edhe pse nuk dihet se a do të jetë kjo në samitet qershor-korrik ose më vonë dhe iu bëri thirrje qytetarëve që të jenë optimistë dhe krenarë për atë që e kemi arritur e që është shënuar në Raportin e Komisionit Evropian.

“Kemi të drejtë që të jemi krenar sepse i larguam të gjitha pengesat, i krijuam të gjitha kushtet, dhe siç është theksuar në mënyrë precize në Raportin e Komisionit Evropian, krijuam shtet të gatshëm për fillimin e negociatave”, theksoi Osmani.

Zëvendëskryeministri potencon se nisëm në fazën e dytë dhe nga kjo nuk ka kthim prapa. Procesi, sipas tij, do të ketë përpjeta dhe tatëpjeta, por do të nënkuptojë edhe transformim të shoqërisë. Pozicioni i Maqedonisë së Veriut është që datën për fillimin e negociatave ta marrim në samitet e qershorit-korrikut.

“Është e rëndësishme që këtë vit fillojmë negociata, kjo është konstante. Tani momenti i sjelljes së vendimit për takimin e parë do të jetë në samitet qershor-korrik duke mos precizuar qershorin ose korrikun sepse pas verës ekzistojnë shumë momente të paparashikueshme. Bregziti është caktuar për në tetor, zgjedhjet në Greqi, Komisioni i ri Evropian e merre funksiononin më 1 nëntor… Insistimi ynë është që ta garantojmë samitet qershor-korrik”, tha Osmani.

Në periudhën e fundit kemi intensifikimin e aktiviteteve diplomatike për Republikën e Maqedonisë së Veriut që të marrë fillimin e negociatave, për çka zëvendëskryeministri thotë se po bëhen një varg përpjekjesh të cilat tani janë mbështetur me Raportin e ri të Komisionit Evropian duke e vlerësuar si objektiv dhe preciz. Osmani dhe Dimitrovi mbrëmë u kthyen nga Brukseli, ndërsa paraprakisht ai ishte në bisedime në disa kryeqytete evropiane.

“Po bëjmë një varg përpjekjesh tashmë me raportin e ri të Komisionit Evropian, i cili është shumë preciz dhe objektiv dhe atë që e thotë është se jemi shembull i shkëlqyer i cili meriton fillimin e negociatave menjëherë. Prej të gjitha këtyre vizitave është koncensual qëndrimi i të gjitha vendeve anëtare, madje edhe i skeptikëve më të mëdhenj se Republika e Maqedonisë së Veriut ndahet nga rajoni. Shihni vlerësimet për secilën nga parametrat, ne jemi para vendeve të cilat tashmë negocionojnë”, tha Osmani.

Nga ajo që e dëgjojmë dhe e dimë, përsëriti ai, është fiks qëndrimi se këtë vit fillojmë negociata. Megjithatë, dilema është se kur do të sillet vendimi për fillimin e negociatave në qershor ose në korrik.

“Ka probleme teknike në kuptim të asaj se Bundestagu ka vetëm një ditë për shqyrtimin e Raportit dhe sjelljen e vendimit në thelb se a do të shqyrtohemi në pako ose ndaras me vendet e tjera të rajonit”, sqaroi zëvendëskryeministri.

Duke iu referuar parimit “regata” të vlerësimit individual të sukseseve të secilit vend, të vendosur që nga viti 2003 në samitin e Selanikut, vlerëson se rasti me Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të len askënd indiferent.

“Parimi regata nënkupton që secili vend lëviz me shpejtësinë të cilën vet do ta vendosë. Secili vend ka dosjen e tij, ne do të ishim më të lumtur kur edhe të dyja vendet do të merrnin datë për negociata, por absolutisht vlerësoj se rrëfimi ynë, sukseset tona, parametrat tona janë aq të fuqishme sa që nuk mund t’i lënë indiferent as skeptikët më të mëdhenj”, theksoi Osmani.

Në autobusin e brenduar së bashku me Osmanin ishin edhe shumë studentë nga universitetet shtetërore të cilët javën e ardhshme do të qëndrojnë për vizitë studentore në Bruksel dhe gjatë kësaj do t’i vizitojnë institucionet evropiane nga afër dhe do të njoftohen me punën e tyre.

Exit mobile version