Site icon Telegrafi

Osmani: Kemi nevojë për konsenzus të gjerë shoqëror për reformat e “Planit 3-6-9”

Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, realizoi brifing me gazetarët, në të cilin u prezantua përmbajtja e “Planit 3-6-9”, dinamika e paraparë për implementimi e tij, si dhe rëndësia e planit për vendin në kontekst të proceseve të përgjithshme të integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

Në fillim, Osmani shprehi kënaqësi nga implementimi i pjesës së parë të planit, pjesës tre, për çka, siç tha ai, ekziston përmbushje e kënaqshme prej mbi 80% të masave dhe aktiviteteve të parapara, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Planin 3-6-9 e kurorëzuam me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, korrekte dhe kredibile, gjë që ishte një prej qëllimeve kryesore të Planit” theksoi Osmani, duke shtuar se konfirmim i kësaj janë raportet e të gjitha institucioneve relevante të cilat e kanë monitoruar procesin zgjedhor, mes të cilave gjithsesi edhe raporti i OSBE/ODIHR. Pas përfundimit të zgjedhjeve, Qeveria sërish në mënyrë agresive ju rikthye agjendës së reformave, dhe pjesët gjashtë dhe nëntë të Planit 3-6-9 tani më janë të vendosura në agjendë për zbatim“ potencoi Osmani.

Ai shtoi se “Plani 3-6-9” paraqet një tërësi unike, në të cilën përfshihen të gjitha obligimet për reforma në Republikën e Maqedonisë, e të cilat burojnë nga vërejtjet, rekomandimet dhe sugjerimet nga ana e Komisionit Evropian, Komisionit të Venedikut, GREKO dhe të gjitha institucionet tjera relevante ndërkombëtare të cilat bëjnë vlerësim të gjendjes në Republikën e Maqedonisë.

“Pas implementimit të pjesëve gjashtë dhe nëntë, nuk pres të kemi pjesë të re 12, por vendim për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ftesë për anëtarësim në NATO”, theksoi Osmani./Telegrafi/

Exit mobile version