Njëra nga skuadrat më me traditë në futbollin kosovar, Vushtrria është rikthyer edhe zyrtarisht në elitë.
Vushtrriasit e siguruan matematikisht ngjitjen dy javë para fundit të kampionatit në Ligën e Parë.
E sigurisht njëri nga lojtarët më meritorë për këtë sukses të vushtrriasve është kapiteni Labinot Osmani.
33-vjeçari këtë edicion ka shënuar 18 gola në Ligën e Parë, ndërsa ka asistuar në 10 të tjerë.
Në një prononcim për Telegrafin, Osmani flet rreth rikthimit në Superligën e Kosovës.
“Sigurisht që është një arritje e madhe e një rrugëtim i gjatë deri në Superligë”.
“Pas barazhit që ishim të dëshpëruar, kemi mbledhur forcat e u riorganizuam dhe arritëm të rikthehemi në Superligë”, thotë Osmani.
Qendërsulmuesi i Vushtrrisë ka thënë se ka qenë një vit me plot sakrifica.
“Mendoj që ka qenë një vit plot me sakrifica dhe mund për arritjen në Superligë, por të cilin e kemi bërë realitet”.
“Vushtrria i është dashur Superligës, duke pasur parasysh atmosferën që mbretëron në tribuna nga tifozëria ‘Forca’ dhe shpresoj që të jemi njëra ndër ekipet më të vështira për tu mundur”, tha për Telegrafin Labinot Osmani.
Ish-sulmuesi i Prishtinës dhe disa skuadrave tjera kosovare ka uruar të gjithë për rikthimin në Superligë.
“E uroj kryesinë, donatorë, stafin teknik, bashkëlojtarët, tifozët e flaktë ‘Forca’ të cilën na kanë mbështetur në këtë rrugëtim të gjatë dhe gjithë qytetin e Vushtrrisë për inkuadrimin në Superligë. Merita për këtë sukses kanë të gjithë”, deklaroi Osmani.
Krejt në fund sulmuesi i bardhekaltërve mendon se Vushtrrisë do t’i bashkëngjitet nga pozita e dytë Dukagjini, pasi tanimë ka krijuar një distancë prej katër pikësh me Besën e Pejës.
“Dukagjini është katër pikë para Besës dhe besoj se do të na bashkohen në Superligë. Ka qenë një garë e fortë këtë edicion në Ligën e parë”, përfundoi sulmuesi vushtrrias.
Kujtojmë që Vushtrria ishte shpallur kampione e Kosovës në edicionin 2013/14. /Telegrafi/