Site icon Telegrafi

Osmani: Fillimi i negociatave do të jetë një sinjal i qartë për kursin evropian të gjithë rajonit

Visit of Bujar Osmani, Minister for Foreign Affairs of North Macedonia, to the European Commission

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij të punës në Bruksel, realizoi takim me Komisionerin Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerimi, Oliver Varhelyi. Takimi ishte në funksion të përmbushjes së misionit të Osmanit për të kompletuar dosjen euro-integruese të Maqedonisë së Veriut, për fillim zyrtar pa vonesë të negociatave për anëtarësim në BE, në kuadër të kryesimit gjerman të sivjetmë me Këshillin e BE-së; me ç’rast bashkëbiseduesit e vlerësuan këtë qëllim si të përbashkët.

“Qeveria e re mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj agjendës së reformave dhe integrimit evropian, me impuls shtesë dhe proaktivitet rreth zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si një vlerë thelbësore shtesë në zhvillimin e stabilitetit rajonal. Përbërja e re Parlamentare mban shenjën evropiane, ndaj pres vazhdimësi në zbatimin e reformave”, tha Osmani, duke vënë në dukje pritjet e mëdha në vend nga presidenca gjermane, në drejtim të kompletimit të kornizës negociuese dhe mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare.

Osmani siguroi se jo vetëm procesi i reformës, por edhe Qeveria e re do të shfrytëzojë periudhën e ardhshme për të finalizuar gatishmërinë administrativo-teknike dhe politike në vend, për të filluar negociatat, përmes finalizimit me kohë të strukturës negociuese, të harmonizuar sipas parimeve të Metodologjisë së re, duke zbatuar natyrisht edhe grupimin e ri sipas kapitujve.

Gjatë takimit, Komisioneri Varhelyi informoi se Komisioni Evropian së shpejti do të publikojë pakon e rregullt të zgjerimit së bashku me raportet vjetore për vendet në proces të stabilizim dhe asocimit me BE-në. Në mënyrë plotësuese u paralajmërua edhe publikimi i Programit për Investime Ekonomike të KE-së, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, për çka do të parashihen fonde të konsiderueshme në formë të granteve dhe huave për zbatim të projekteve të infrastrukturës në fushën e transportit dhe të konektimit energjetik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të jetë mbështetje e fuqishme nga ana e BE-së për përforcimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunim i avancuar rajonal dhe përforcim i konektimit me BE-në.

Temë e takimit ishin edhe iniciativat e Procesit të Berlinit, veçanërisht në kuadër të bashkë-kryesimit të Samitit nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë, të planifikuar më 10 nëntor, në Sofje. U konstatua se kryesimi i përbashkët simbolik i një vendi anëtar të BE-së me një vend kandidat, që është rasti i vetëm deri më tani, paraqet mundësi të vërtetë për të promovuar dhe përforcuar fqinjësinë e mirë midis dy vendeve, si dhe për të promovuar aspiratën e përbashkët për integrimin evropian të të gjithë rajonit.

Osmani gjatë ditës do të takohet po ashtu edhe me Andreas Schieder, kryesues i Komitetit të Përbashkët Parlamentar mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, Ilhan Kuçuk, Raportues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian dhe Andrej Kovaçev, Nënkryetar i EPP-së.

Në kuadër të agjendës së sotme intensive, Osmani ka planifikuar gjithashtu takim me Nënkryetaren e Bashkimit Evropian përgjegjëse për demokraci dhe demografi, Dubravka Shuica./Telegrafi/

Exit mobile version