Telegrafi

Osmani-Escobar: Jemi duke punuar për të përcaktuar aktivitetet e ardhshme që do të rezultojnë nga dialogu strategjik

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, realizoi takim me Gabriel Escobar, zv. ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroazi dhe Përfaqësuesin Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, njoftojnë nga MPJ.

Në takim, theksojnë nga MPJ, u shpreh kënaqësi nga Dialogu Strategjik i mbajtur së fundmi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, i cili tashmë i jep rezultatet e para në formë të granteve amerikane, të dedikuara për forcimin e Sundimit të ligjit, kulturës dhe mbrojtjes.

“Me Dialogun Strategjik të mbajtur me SHBA-në, marrëdhëniet bilaterale përfitojnë kornizë të re të definuar për zhvillim të mëtejshëm, ndërsa partneriteti strategjik forcohet dhe avancohet më tej. Punojmë me përkushtim në definimin e aktiviteteve të ardhshme, të cilat dalin nga Dialogu Strategjik dhe kanë për qëllim forcimin e proceseve reformuese dhe garantimin e progresit dhe prosperitetit demokratik të vendit”, theksoi Osmani

Bashkëbiseduesit, thuhet në deklaratën e MPJ-së, iu referuan edhe procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Një hap i tillë paraqet investim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe progresit të të gjithë rajonit, veçanërisht në kontekst të sfidave aktuale të sigurisë.

Njëherit, në takim u përshëndet aleanca ndërmjet dy vendeve në kuadër të NATO-s, me çka u theksua mbështetja për Ukrainën dhe zotimet e përbashkëta për mbrojtjen e parimeve dhe vlerave bashkëkohore demokratike, si dhe dënimi i fuqishëm i invazionit ushtarak rus./Telegrafi/