Site icon Telegrafi

Osmani dhe Sela nga Slice: Në qendër të vëmendjes e kemi zhvillimin e karrierës

Slice është kompani që para se gjithash bashkon një ide inovative biznesi, një qëllim të qartë, me vizionin për të ecur përpara dhe përkushtimin ndaj kësaj. Kompania zuri fill në qytetin e Nju Jorkut, ku edhe është e vendosur, por më vonë u zgjerua me zyra të reja në Dibër, Ohër, Belfast, dhe së shpejti edhe në Shkup. Strategjia dhe investimet burojnë nga zyra në Nju Jork ndërsa Maqedonia është qendra operative në nivel botëror. Si rrjedhojë, Slice mbështetet kryesisht në kuadrot maqedonase nga të gjithë sektorët e punës, dhe ka korrur sukses të paparë falë ekipit maqedonas. Slice është biznes i ri, që me idenë inovative ia ka dalë mbanë të shndërrohet në biznes tejet fitimprurës në Shtetet e Bashkuara. Sot, më shumë se 11,000 piceri në Shtetet e Bashkuara shesin pica të porositura pikërisht përmes platformës së vogël, e cila i ka ndihmuar klientët e saj të shënojnë rritje të biznesit katërfish deri gjashtëfish më shumë. Në Maqedoni ka punësuar mbi 350 vetë dhe deri në fund të vitit 2020 synohet që kjo shifër të arrijë në 1000, duke përfshirë zyrat anembanë bordit.

Lexo po ashtu Njihuni me shqiptarin nga Maqedonia që ka mbledhur fonde marramendëse me një ide të shkëlqyer për biznes (Foto)

Zbulojmë më shumë nga intervista me Alban Osmanin, Menaxher i Përgjithshëm në Ohër dhe Butrint Selën, Menaxher i Përgjithshëm në Dibër:

Team Building i kompanisë Slice

1.Ideja ka lindur dhe lulëzuar në SHBA, dhe tani veprimtaria është zgjeruar edhe në Maqedoninë e Veriut, a mund të bësh një krahasim midis punës këtu dhe në Nju Jork?
Idenë dhe biznesin, Ilir Sela i nisi njëkohësisht edhe në Nju Jork dhe në Dibër, Maqedonia e Veriut, dhe ekipi në Maqedoni ishte pjesë e pandarë e idesë dhe kompanisë që nga fillimi, duke ushtruar ndikim në suksesin dhe ecurinë e Slice që nga fillimi. Menaxhimi i biznesit është paksa më ndryshe, ngaqë Nju Jorku përqendrohet më shumë te strategjia dhe investimet, ndërsa Maqedonia është boshti i operacioneve në nivel botëror. Edhe pse si ekip kemi të njëjtin fokus the vizion, dallojmë në mënyrën se si i qasemi çështjes, prandaj sfidat që duhen menaxhuar janë të ndryshme. Në Maqedoni jemi përqendruar në zgjerimin e stafit dhe pajisjen e tyre me shkathtësitë e domosdoshme për ndikim sa më të madh. Në qendër të vëmendjes, në masë të madhe e kemi zhvillimin e karrierës, përgatitjen, dhe rekrutimin, duke u siguruar që t’i nxisim dhe përkrahim individët e talentuar të cilët punojnë për ne.

Team Building i kompanisë Slice

2.Cilat ishin sfidat kryesore me të cilat u përballët gjatë zgjerimit të veprimtarisë themelore të Slice?
Në 10 vitet e fundit, sfidat më të rëndësishme të veprimtarisë themelore kanë qenë menaxhimi i shpejtësisë dhe shkallës së rritjes. Ne ecim me hapa shumë të shpejt, 5 vjet më parë ishim 30 punonjës në Maqedoni dhe sot jemi rreth 350, dhe synojmë të arrijmë në 1000 punonjës deri në fund të vitit 2020.  Kjo jo vetëm që paraqet një sfidë të madhe për rekrutimin, përgatitjen, strukturën dhe strategjitë tona, por sfidë do të jetë edhe zhvillimi shumë i shpejt ndërsa kompania rritet dhe përparon.

Team Building i kompanisë Slice

3.Sa e vështirë është të menaxhosh një biznes të tillë nga Dibra dhe Ohri dhe çfarë risish do të sjellë zyra në Shkup?
Ekipi në Dibër dhe në Ohër ka qenë dhe vazhdon të jetë jashtëzakonisht i mrekullueshëm. Në përgjithësi njerëzit sot janë vazhdimisht të rrethuar nga energji negative, dhe rrallëherë u ofrohet ndonjë mundësi.  Kur e shpalosëm këtë mundësi përpara qytetarëve të ndritur të Dibrës dhe Ohrit, ata jo vetëm që e mirëpritën, por edhe na ndihmuan të kapërcenim pengesa të panumërta, dhe të rritemi në pozita udhëheqëse për t’u paraprirë të tjerëve drejt qëllimeve tona, dhe për t’i lënë prapa vështirësitë që mund t’i kemi hasur. Kur i sjellim në mend vështirësitë, gjëja e parë që na kujtohet janë përjetimet e përbashkëta, duke punuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe duke ia dalë mbanë ta bëjmë atë që na thuhej se ishte e pamundur. Kur e nisëm biznesin, nuk është se nuk e parafytyruam rritjen dhe kompaninë si më të madhe, por pothuajse çdo vit i kemi tejkaluar pritshmëritë tona. Dibra dhe Ohri na kanë dhënë 350 punonjës, edhe pse kurrë nuk e kishim menduar se mund të arrinim në këtë pikë, tani Shkupi do të na lejojë të rritemi deri në 1000. Me padurim presim të na bashkohen njerëz të zgjuar dhe të shkathtë në ekipin tonë në Shkup, që do të na ndihmojnë të lëmë shenjë derisa ecim drejt qëllimit tonë. Shpresojmë të ndeshim në talente të shkëlqyer, dhe shpresojmë që të gjejmë liderë të fortë me përvojë të gjatë për të na ndihmuar ta shpiem biznesin atje ku duam.

Alban Osmanin, Menaxher i Përgjithshëm në Ohër

4.Çfarë është ajo që u ofroni të rinjve që kërkojnë mundësi pune në treg dhe në cilat fusha? 
Ne ofrojmë zhvillim profesional në 20 role të ndryshme. Konkretisht, për çdo funksion që mund të kryhet dhe herë pas here kryhet në Nju Jork, kemi vende pune edhe në Maqedoni. Kërkojmë inxhinierë që do të punojnë me inxhinierët në Belfast dhe Nju Jork për të kapërcyer pengesat në lidhje me produktin tonë. Nga ata pritet të ushtrojnë ndikim të ngjashëm si stafi në zyrat tjera. Po ashtu, analistët tanë të të dhënave i përdorin të njëjtat mjete si ekipi në Nju Jork dhe janë të integruar në ekipin e tyre. Roleve në Mbështetjen e Klientit së bashku me ato në Menaxhimin e Llogarive, dhe pozitave të tjera mbështetëse u ofrohen mundësi të shumta për të ecur përpara në karrierë. Meqenëse ajo që po e bëjmë është unike, ne investojmë tej mase në avancimin e kuadrit ekzistues. Mundësi për ta zbatuar të njëjtën metodë, sikurse të ishin punonjës në Nju Jork. Shkathtësi që u mundësojnë të konkurrojnë në tregun global dhe jo vetëm në qytetin më të afërt. Një paketë përfitimesh që përfshin orë falas të gjuhës angleze, shpenzime më të ulëta për transport, paga në përputhje me standardin, ngritje në karrierë, dhe shumë më tepër se kaq. Edhe pse mezi presim të punësojmë kandidatë nga jashtë, shpresojmë që të gjithë punonjësit e tanishëm të ngriten në detyrë.

Butrint Sela dhe ekipi i Slice

5.Sa kohë dhe mund u desh për ta çuar kompaninë aty ku është sot?
U deshën gati 10 vite për ta ndërtuar nga hiçi, duke nisur nga proceset, procedurat dhe ekipet e punës. U dha shumë mund edhe në zhvillimin e këtyre, por sa i takon mundit, ne si ekip gjithmonë jemi bërë njësh dhe kemi punuar si një njësi e vetme, andaj mundi gjithnjë ka qenë i përbashkët dhe ky ka qenë çelësi kryesor i suksesit.

Butrint Sela, Menaxher i Përgjithshëm në Dibër

6.Cilat janë sfidat që i prisni në lidhje me hapjen e zyrës në Shkup, në nivel lokal dhe në përgjithësi?
Sfida qëndron te mundësia për të punësuar dhe për t’u rritur me shpejtësinë e duhur për mbështetje të biznesit. Kemi vende të hapura të punës dhe e kemi të vështirë t’i gjejmë talentët që janë në gjendje t’i bëjnë ballë sfidës. Bizneset e reja kanë nevojë për një lloj tjetër profesionistësh, duhet njëkohësisht edhe ta menaxhosh edhe ta rritësh biznesin me shpejtësi marramendëse. Ndryshimet ndodhin vazhdimisht dhe është e vështirë për strukturën drejtuese. Ne shpresojmë se Shkupi do të na pranojë njëlloj si Dibra dhe Ohri. Mundësitë janë këtu, ne vetëm duam që të na bashkohen me zemër në këtë rrugëtim. Kjo është unike, do të thotë se askush në rrethinën tonë nuk mund ta merr me mend themelimin e një kompanie që nuk është e kategorisë ‘outsourcing’, por një pjesë e fortë përbërëse e kompanisë në tërësi, me punonjës të integruar dhe të përkushtuar, që i shërbejnë tregut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka shumë sfida që kanë nevojë për zgjidhje kreative, andaj ne kemi nevojë për të gjithë ata që kanë besim në vete dhe vullnet të papërkulur, të na bashkohen dhe t’u bëjnë ballë sfidave.

Exit mobile version