Bartësit e “MKartës” nuk do të kenë privilegje të diplomatëve. Mesazhi i vetëm simbolik është se do t’ua lehtësojmë ardhjen në vend që të vijnë dhe të përfshihen në zhvillimin tonë, tha ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani në brifingun e sotëm duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
Ministri sqaroi se ambasadat tona i identifikojnë këta persona dhe ia propozojnë Ministrisë.
“Thjesht të jetë dëshmi se janë pjesë e rrjetit tonë të njerëzve të suksesshëm në diasporë dhe njerëzit kanë pranuar të jenë pjesë e bartësve të ‘MKartës’ pa asnjë privilegj”, tha Osmani duke shtuar se bëhet fjalë për njerëz të jashtëzakonshëm nga sektorë të ndryshëm që mund të vendosen në funksion të zhvillimit tonë.
Ideja, sipas Osmanit është të krijohet rrjet i atyre njerëzve me të cilët do të kenë kontakt të vazhdueshëm dhe do të mblidhen një herë në vit në formë konference dhe seminaresh, ndërsa gjatë vitit të përfshihen në grupet e ndryshme të punës në gjithë vendin.
“Unë premtova se mund të bëhen disa masa simbolike, më shumë për respekt për ta, sesa kjo do të kishte ndonjë kuptim për ta. Kemi siguruar që ata që janë bartës të ‘MKartës’ kur të vijnë në vend të mund të hyjnë në muze falas. Simbolikën që duam ta tregojmë është se ata na kanë nderuar duke lënë angazhimet e tyre dhe në atë pako masash thamë që të përdoren korsitë e shpejta ekzistuese që janë për bartësit e pasaportave diplomatike dhe kemi kërkuar nga MPB që këto karta të përdoren”, tha Osmani.