Zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot ishte nikoqir i delegacionit të Republikës së Greqisë kryesuar nga Ministrja alternative për Punë të Jashtme, Atanasia Anagnostopulu.
Në takim u hapën temat lidhur me integrimet euro- atlantike të vendit, përmbushja e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës, mbështetja e Greqisë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në, bashkëpunimi bilateral mes dy vendeve, në veçanti përmes bashkëpunimit ndërkufitar që kohë të gjatë po realizohet me fondet e IPA-s, si dhe mundësitë për bashkëpunim rajonal.
“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës shënoi epokën e re të marrëdhënieve bilaterale mes vendeve tona, ndërkaq periudha që pason do ta shënojë momentin e ri në procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut me konfirmimin e pritur të vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE”, theksoi Osmani, duke potencuar se progresi në marrëdhëniet politike mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të konfirmohet me mbështetjen e fuqishme të Greqisë në periudhën e ardhshme, para samiteve të qershorit.
Në kuadër të takimit Osmani dhe Anagnostopulu diskutuan për mundësitë për bashkëpunim të administratës mes dy vendeve për avancim, bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në rrjedhën e përgatitjeve të administratës dhe pjesës tjetër të strukturës negociuese për fillim të suksesshëm të negociatave me Bashkimin Evropian./Telegrafi/