Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar osmani paralajmëroi se me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, muajt e verës do t’i kalojnë në vizita dhe bindje të vendeve anëtare për përgjigje pozitive në tetor, për fillim të negociatave me BE-në.
Ai tha se deri atëherë duhet të evitohen të gjitha problemet e mundshme të cilat mund ta dëmtojnë procesin, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Megjithatë, deri në tetor janë edhe disa muaj dhe në këtë periudhë posaçërisht duhet të mbetemi të fokusuar, sepse çdo problem që mund ta krijojmë si shtet kuptohet se do të ndikojë në vendimin në tetor. Mbetet që të fokusuar përbrenda të reflektojmë atë që na ka mbetur për të reflektuar në implementimin e vetë zgjidhjeve ligjore, por edhe të bisedojmë me vendet anëtare. Me ministrin Dimitrov planifikojmë agjendë serioze duke filluar në korrik dhe gusht, e madje edhe shtator, të vizitojmë disa vende anëtare nga skeptikët deri te mbështetësit më të mëdhenj, që edhe njëherë ta prezantojmë rrëfimin tonë i cili nuk mund të injorohet aq lehtë nga cili do vend anëtar për shkak të sukseseve të mëdha”, tha osmani gjatë vizitës së sotme në Zhelinë të Tetovës.
Ai përsëriti se Raproti më i mirë i BE-së deri më tani dhe rekomandimi i pastër pa kushte të reja të cilin Këshilli i BE-së e dha, do të thotë se shkaku i shtyrjes është i natyrës teknike.
“Para së gjithash, pamundësia që Bundestagu gjerman të sjellë vendim para qershorit. Duke e pasur parasysh debatin që u zbatua në vetë Këshillin kemi informata se secila anëtare e këshillit të qershorit konstatoi se Maqedonia e Veriut është shembull i ndritur në rajon dhe se meriton negociata, por për shkak të mungesës së vendimit nga Bundestagu, këtë nuk mund ta bëjnë. Presim në tetor të përsëritet ai vullnet pozitiv”, tha Osmani.