Telegrafi

OSHP: Ministria e Punës caktoi kritere diskriminuese në tender

Diskriminimi i Postës së Kosovës nga ana e Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale (MPMS), në tenderin për shpërndarjen e ndihmave sociale, ka bërë që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ta kthejë nga fillimi këtë proces, shkruan sot Koha Ditore.

Në vendimin e marrë më 4 maj, Gjykata e Tenderëve ka konstatuar se gjatë kësaj procedure të prokurimit kjo ministri ka shkelur nenin 7 dhe nenin 27 të Ligjit të prokurimit publik.

Në vendimin e OSHP-së thuhet se paneli shqyrtues i kryesuar nga kryetari i këtij organi, Blerim Dina, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës ka konstatuar se MPMS-ja nuk e ka respektuar nenin 7 të Ligjit gjatë përcaktimit të kritereve dhe kërkesave në dosjen e tenderit.

“Kërkesa e Autoritetit Kontraktues që operatorët ekonomikë ofertues në këtë aktivitet të prokurimit duhet të kenë ‘licencë nga BQK-ja se janë të regjistruar si institucion financiar bankar’ është kërkesë diskriminuese për Postën e Kosovës dhe për operatorë e tjerë ekonomikë si institucione financiare jobankare”, thuhet në këtë vendim. /Telegrafi/