73 milionë euro do të humbë Operatori i Energjisë në Shqipëri këtë vit. Ky është vlerësimi që ka bërë qeveria në raportin për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Por, humbjet do të vazhdojnë. Për vitin 2022 humbjet e parashikuara janë rreth 60 milionë euro.
Pra, 133 milionë euro humbje në dy vjet aktivitet.
Të gjitha humbjet paguhen me kredi, që i merr OSHEE, por që garanton qeveria me paratë e taksapaguesve.
Rritja e çmimit të energjisë së importuar do t’i shtojë vështirësitë financiare të kompanisë.
Vetëm këtë muaj, ajo ka blerë rreth 65 milionë euro energji elektrike në tregjet e huaja. Është blerja më e madhe mujore që OSHEE ka bërë ndonjëherë.
Deri tani OSHEE ka krijuar mbi 300 milionë euro borxhe.
Të gjitha përpjekjet për ta ndryshuar situatën kanë dështuar dhe OSHE vazhdon të gllabërojë para.
Në fakt, në dokumentin e buxhetit ka një plan administrativ për të reduktuar borxhet, duke mbledhur faturat e papaguara, plan ky i hartuar edhe më herët, por që nuk ka funksionuar.
Nga ana tjetër, OSHEE është vënë edhe para përgjegjësisë së shpërdorimit të parave, për gjyqe të humbura, tendera e shpërblime, pa përfshirë këtu faturat e pambledhura pas vitit 2018, që arrijnë 82 milionë euro./Euronews Albania/