Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Brathu, ka thënë se OSBE do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin e arsimit në Kosovë, me theks arsimimin e komuniteteve, duke u bazuar në praktikat më të mira evropiane dhe legjislacionin e Kosovës.
Ai gjatë një takimi me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë në fushën e arsimit, çështje prioritare të politikave arsimore MAShT-OSBE, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit.
Ministri Bytyqi e falënderoi ambasadorin Brathu për mbështetjen konstante të OSBE-së në ndërtimin e një sistemi të ri modern të arsimit në Kosovë. Ai tha se MAShT do të jetë e hapur dhe e gatshëm për bashkëpunim.
“Ne kemi nevojë për përkrahjen e mëtutjeshme të partnerëve ndërkombëtarë me qëllim të përmirësimit të cilësisë dhe njëherësh do të evitojmë edhe mangësitë e identifikuara nga OSBE gjatë këtyre viteve”, tha Bytyqi.
Në takim është biseduar edhe për tekstet shkollore në gjuhën boshnjake dhe turke, akreditimin e programeve studimore në këto gjuhë dhe çështje tjera me interes.