Telegrafi

OSBE reagon për vrasjet në Gjakovë: Jemi të tronditur dhe të pikëlluar

Vrasja e një nëne bashkë me vajzën e saj të mitur që ndodhi të hënën mbrëma në Gjakovë, ka ngjallur reagime të shumta edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Reagimi i fundit për këtë krim makabër ka ardhur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).

Në një deklaratë të shkurtër, ky mision është shprehur i tronditur dhe i pikëlluar nga këto vrasje të tmerrshme.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë është i tronditur dhe i pikëlluar nga vrasjet e tmerrshme në Gjakovë të Valbona Nrecaj dhe vajzës së saj 9-vjeçare nga bashkëshorti i saj”.

OSBE thekson më tej se kjo tragjedi duhet të sjellë një reagim më të fuqishëm nga organet për zbatim të ligjit.

“Kjo tragjedi thekson nevojën për vetëdijesim më të lartë shoqëror dhe reagim më të fuqishëm të organeve për zbatim të ligjit ndaj dhunës në familje”, përfundon reagimi i misionit të OSBE-së në Kosovë./Telegrafi/