Përfaqësuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) për shtypin, Harlem Desir tha se ai është i gatshëm të punojë me autoritetet shqiptare për përmirësimin e Ligjit të Medias, e njohur si “Paketa Antishpifje”, veçanërisht atyre pjesëve që lidhen me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit siç parashikohet në ligjin ndërkombëtar.
Zyra e OSBE-së për shtypin e bëri këtë deklaratë pas marrjes së dokumenteve shpjeguese nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta për arsye të mosdekretimit të Ligjit.
“Përfaqësuesi i medias përsërit se asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Ai shpreson se rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij Ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Zyrës së OSBE-së për Lirinë e Medias.
Presidenti Meta ktheu për rishqyrtim në parlament ndryshimet në dy ligje “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”. Sa i takon Ligjit të parë, ai vlerëson se bie në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.
Ndërsa, lidhur me ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike”, Meta shprehu shqetësim për fuqinë e tepërt ndëshkimore që merr AKEP ndaj medieve.
Qeveria e Shqipërisë me shumicën socialiste në Kuvend kanë këmbëngulur se Paketa Antishpifje ka mbështetjen e plotë të OSBE-së. /Telegrafi/