Telegrafi

OSBE: Hiqni dorë nga demonstratat

Zëvendësministri i Jashtëm i Lituanisë, Evaldas Ignatavicius bëri thirrje që qeveria dhe opozita në Shqipëri të rifillojnë sa më shpejt dialogun politik konstruktiv dhe të heqin dorë nga organizimi i demonstratave në ditët e ardhshme, për të shmangur rritjen e
tensionit.

Media në Tiranë tha se Ignatavicius ka pasur biseda telefonike me kryeministrin, Sali Berisha dhe shefin e opozitës, Edi Rama në të cilat ka shprehur keqardhjen për viktimat dhe të plagosurit dhe ka theksuar nevojën për hetimin e ngjarjes dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Ministri lituanes ka thënë se dialogu dhe dëshira për kompromis janë të nevojshme për të zgjidhur dallimet politike ekzistuese. “Nxis partitë politike të Shqipërisë të angazhohen në dialog konstruktiv e përfshirës ndërpartiak në parlament dhe në institucionet e tjera demokratike që ekzistojnë në vend. Retorika politike e ashpër në publik vetëm do të përkeqësonte gjendjen dhe duhet shmangur”, ka thënë Ignatavicius.

Ministri ka theksuar po ashtu se ruajtja e rendit publik dhe shtetit të së drejtës është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. /Telegrafi/