Prokuroria i ka kërkuar përgjigje Klinikës së Ortopedisë nëse ka pasur gabime nga doktor Visar Nushi gjatë trajtimit të pacientes N. Berisha. Ekipi i specialistëve të Ortopedisë është përgjigjur se në Kosovë nuk ka asnjë skoliolog për të dhënë përgjigje. Në Klinikë kanë trajtuar raste të skoliozës, ndonëse ekspertët nuk kanë përgjigje për këtë sëmundje
Rasti i pacientes N. Berisha, nga Prishtina, është i pari në historinë e hetimeve të iniciuara nga Prokuroria vendore për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor kur për një fëmijë kërkohet ndihmë juridike ndërkombëtare, shkruan “Zëri”.
Kjo është bërë nga Prokuroria tek pasi në Kosovë janë dhënë tri mendime profesionale nga institucionet shëndetësore, por që ato nuk i kanë ndihmuar zbardhjes së të vërtetës nëse doktori ortoped Visar Nushi kishte bërë gabime profesionale gjatë mjekimit të pacientes fëmijë.
Kjo dilemë është hequr tek pasi ekspertiza e kryer në Klinikën Universitare të Essenit në Gjermani ka konstatuar se doktor Nushi ka bërë gabime gjatë vendosjes së diagnozës dhe të terapisë.
Por, asnjë nga ekspertët vendorë të Ortopedisë e as ata të Mjekësisë Ligjore nuk kanë qenë në gjendje që të japin një vlerësim nëse doktori kosovar Visar Nushi kishte gabuar në ekzaminim.
Ndërkohë që në ekspertizën e kryer në Gjermani thuhet se “një specialist i Ortopedisë do të duhej dhe është në gjendje t’i masë deformimet e skoliozës. /Zëri/