Është e turpshme që muslimanët shqiptarë duke jetuar në Evropën me shumicë krishtere të mos kenë njohuri elementare për kulturën e krishterë dhe është e turpshme që të krishterët shqiptarë të mos kenë njohuri elementare për kulturën islame duke qenë se jetojnë në një vend me shumicë muslimane.
Çfarë të keqe ka që nxënësit në shkollat publike në Kosovë e Shqipëri të mësojnë për Islamin, Krishterimin, Judaizmin, Taoizmin, Budizmin, Shintoizmin …?!
Rreziku i ekstremizmit islam?!
Para ca dite Parlamenti i Kosovës refuzoi ta vendosë me ligj mësimin e lëndës edukata fetare në shkollat publike. Arsyetimi ishte se kjo do të shkaktonte përçarje kombëtare dhe se kësisoj do të rrezikonim që ekstremizmi islam të infiltrohej në Kosovë.
Asnjëra nga këto arsye nuk qëndron. Shumica e kombeve perëndimore kanë diversitet fetar, por ky diversitet nuk u pengon që të mësojnë edukatën fetare në shkollat publike. Për të qenë ironia në kulm, deputetët kosovarë harrojnë se refuzimi afekton vetëm shkollat shqipe, boshnjake e turke në Kosovë dhe se po ata përmes pranimit të pakos së Ahtisaarit kanë lejuar që nxënësit e përkatësisë etnike serbe në shkollat e tyre të mësojnë edukatën fetare (dhe atë vetëm kristiano ortodokse) dhe se për këtë priftërinjtë serbë marrin rrogë nga Ministria e Arsimit e Kosovës.
Argumenti i infiltrimit të ekstremizmit islamik është akoma më i paqëndrueshëm. Është e kundërta. Ndalimi shkakton ekstremizëm. Njësoj sikurse patriotët e cekët shfaqën si nacionalistë ekstremë, poashtu edhe fetarët e cekët shfaqën si fetarë ekstremë.
Cektësia fetare e rrjedhimisht ekstremizmi fetar nuk vjen nga njohuritë, por nga injoranca
Edhe nëse supozojmë se ekziston një rrezik i infiltrimit të ekstremizmit islamik, vallë a do ta privojmë shoqërinë tonë nga edukata fetare vetëm pse ekzistuaka ky rrezik? Kjo është sikur të ndalojmë ngrënien ngase ekziston rreziku i helmimit. Zgjidhja nuk është në ndalimin e ushqimit po në bërjen kujdes nga helmet.
Cektësia fetare, e rrjedhimisht ekstremizmi fetar, nuk vjen nga njohuritë, por nga injoranca. Nëse në shkollat tona publike do të mësohej edukata fetare atëherë gjasat që feja të depertonte në thellësi të shpirtit tonë shoqëror do të ishte më e madhe ashtu siç shkruan më 1937 intelektuali më i madh shqiptar i të gjitha kohërave Branko Merxhani (1894-1981):
“Rregulli i parë i përparimit është feja. Dhe fe nuk do të thotë tipe të caktuara ceremoniale, as orë të caktuara lutjesh as tregime filantropike të djallëzuara. Fe do të thotë thellësim shpirtëror, bashkim i zemrave, dashuri, devocion, besim”.
Është e turpshme që myslimanët shqiptarë duke jetuar në Evropën me shumicë krishtere të mos kenë njohuri elementare për kulturën e krishterë dhe është e turpshme që të krishterët shqiptarë të mos kenë njohuri elementare për kulturën islame duke qenë se jetojnë në një vend me shumicë myslimane.
Nëse nxënësit në shkollat publike në Kosovë e Shqipëri do të mësonin për Islamin, Krishterimin, Judaizmin, Taoizmin, Budizmin, Shintoizmin…, ata do të pajiseshin me kulturë të gjerë që do t’iu mundësonte komunikim më të mirë në një mes gjithnjë e më të globalizuar. Duke pasur njohuritë elementare për fetë tjera, edhe feja e vet do të zinte më shumë rrënjë në shpirtin e tyre.
Si arriti Ibrahim Rugova të impresiononte Bill Clintonin, Tony Blairin etj?
Mbresat që ka lënë Ibrahim Rugova tek Bill Clintoni, Tony Blairi etj kanë qenë pikërisht nga fakti se ai ishte një mysliman që kishte njohuri të thella për kulturën e krishterë. Zaten, me çka tjetër do të mund të impresiononte Ibrahim Rugova: me prodhimtarinë e automobilave apo me prodhimin e avionëve supersonikë në vendin e tij?!
Imagjinoni se me çfarë mund të impresionojnë Presidentja e Kosovës, Kryeparlamentari, Kryeministri, ministrat, ambasadorët, deputetët e Parlamentit të Kosovës në takimet formale dhe informale me homologët e tyre nëpër botë. Shumica absolute e tyre as nuk kanë njohuritë elementare as të kulturës islame as të asaj krishtere as budiste, as judaiste as kurrfarë.
Të mësosh edukatën fetare në shkollë fillore e të mesme nuk do të thotë të bëhesh as hoxhë as prift as rabin, njësoj sikurse të mësosh tabelën e shumëzimit nuk do të thotë të bëhesh matematikan, e as të mësosh alfabetin nuk do të thotë të bëhesh shkrimtar, por këto janë gjëra elementare për një kulturë të përgjithshme.
Nëse politikanëve kosovarë e shqiptarë u mungon kjo kulturë (po them kulturë sepse kultura buron prej fesë) kjo nuk do të thotë që ata kanë të drejtë t’i privojnë nga kjo gjë edhe ata që do të zënë vendin e tyre pas 20 a 30 viteve.
Dr. Krist Maloki: Orientalizmi shqiptar erdhi nga administrata bizantine
Titulli i këtij shkrimi është huazuar nga artikulli i famshëm i vitit 1937 i Dr. Krist Malokit (lindur në Prizren më 1900, vdekur në Grac më 1973) i cili ia vlen të lexohet nga çdo shqiptar. Pasi përshkruan veçoritë e orientalit shqiptar Prof.Maloki shkruan: “Është gabim i trashë kur thuhet se orientalizma na ka ardhur nga Azia, apo përmes religjionit muhamedan, apo edhe nga populli turk. Jo kurrsesi, orientalizma jonë është një dhanti fatale e kristianizmit euroaziatik, kur aty nga viti 740 pas Krishtit, dmth 600 vjet para se me shkelë turku n’Athdheun tonë, Leoni III, despot i Bizantit, detyron shqiptarët me u nda nga Kisha Romake (= oksidentale) dhe me u fundosë me Kishën Bizantine (= orientale). Po nuk ishte skizma kishtare sa administrata bizantine ajo që rrënjosi kulturën orientale tek shqiptarët”.
Kosova e Shqipëria pretendojnë Oksidentalizmin ndërsa dëshmojnë Orientalizmin
Kosova e Shqipëria duke qenë, me gjasë, të vetmet vende evropiane që nuk e bëjnë edukatën fetare në shkollat publike, bëhen dele të zeza në Evropë. Me këtë nuk tregohet oksidentalizmi i shqiptarëve, por pikërisht orientalizmi i tyre.
Ja se çfarë thotë Dr.Krist Maloki për orientilin shqiptar: “Orientali shqiptar është i zoti për të gjitha … turpet. Shet babë e nanë, din e iman, besën e nderin e vet, trupin e shpirtin e vet, për mos me i prishë telat e karadyzenit. Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku e llokma, dhe për me i siguru vetës këto ai bahet kur e do nevoja edhe patriot e tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar … porse në shpirtin e vet është kryekëput rrënimtar e destruktiv”.
Orientali shqiptar sot përdor faktin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga shumica e vendeve islamike për të kultivuar urrejtje ndaj islamit. Harron ta fajësojë qeverinë e Kosovës për mungesë diplomacie proaktive. Nuk i bën përshtypje fakti se Qeveria e Kosovës e njeh Këshillin Kombëtar Libian tek pasi këtë e bënë Qeveria e Serbisë. Çfarë e pengonte Qeverinë e Kosovës që këtë ta bënte që në momentin kur NATO drejtoi avionët kah Libia?