Site icon Telegrafi

Organizoi tentimvrasjen e dy personave, i dyshuari ekstradohet nga Spanja në Shqipëri nën masa të rrepta sigurie  

Është ekstraduar nga Spanja në Shqipëri, shtetasi L. L. alias L. S., i cili akuzohet nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar se organizoi tentimvrasjen e 2 shtetasve në Vlorë, por krim ky që u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së Policisë.  

Shtetasi L. L. alias L. S., u arrestua në Spanjë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.

“Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47 vjeç, i lindur në Vlorë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal kishte organizuar tentimvrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.

Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi A.N, u arrestua para se të kryente vrasjet. Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje. /Telegrafi/

Exit mobile version