Të Mërkurën më 15 shkurt, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, në prag të shënimit të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, do të nisë Konferenca “Kosova and New Urbanism: Resilience, Innovation, Technology, Sustainability and Investments”, e cila organizohet nga UBT, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”.
Në hapje të kësaj konference do të marrin pjesë personalitete të njohura të politikës, kulturës dhe arsimit në Kosovë dhe Shqipëri, ndër të cilët do të jenë:
Albin Kurti – Kryeministër i Republikës së Kosovës;
Edmond Hajrizi – Themelues dhe President i UBT-së;
Jim Xhema – Veprimtar i shquar i çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njëri ndër lobuesit më të mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës;
Elmi Berisha – President i Federatës Panshqiptare në Amerikë “VATRA”;
Nazar Mehmeti – President i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë;
Christopher Hyland – Themelues i “Christopher Hyland Inc.” dhe drejtor i “Hylandtown”;
Përparim Rama – Kryetar i Komunës së Prishtinës;
Thomas Dillinger – President i AESOP;
Mark Barrett – Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).
Me këtë rast, UBT në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme në mënyrë të vazhdueshme për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, kultivimin dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për angazhimin në lobin shqiptar në ShBA për mbështetjen për çështjen dhe kauzën shqiptare, do të emërojë njërin prej objekteve në Kampusin Inovativ në Lipjan, me emrin “Jim Xhema Building”.
Konferenca “Kosova and New Urbanism: Resilience, Innovation, Technology, Sustainability and Investments” është një mundësi unike për të ndikuar në të ardhmen e Kosovës për të ndarë njohuritë dhe pikëpamjet e ekspertëve dhe profesionistëve të fushës së urbanizmit dhe planifikimit hapësinor.