Site icon Telegrafi

Organizohet edicion special i BarCamp Prishtina

Gjate viteve që lamë pas, BarCamp Prishtina ka arritur të sjellë pranë jush folës eminent me tema inovative dhe ka krijuar një komunitet që nxitë vlera të mira dhe ide kreative mes qytetarëve të Prishtinës.

Ky edicion mbahet në kuadër të Sustainability Jam ku do të ketë edhe punëtori e diskutime të ndryshme pas BarCamp-it. Tema kryesore e këtij edicioni është Social Entrepreneurship, apo Ndërmarrësia Sociale, duke synuar që të inspirohen pjesëmarrësit që të bashkangjiten në projekte me qëllime të mira sociale e të hedhin idetë e tyre në pah.
Duke filluar nga Sarah Kupke e Johannes Pfister, Arbnore Berisha, e deri te Lorik Muçaj, folësit do të na shpalosin projekte inovative.

Sarah Kupke, anëtare e kooperativës jofitimprurëse ThinkCamp, dhe Johannes Pfister, themelues i shumë kompanive në fushën e konsultimit, trajnimit dhe shërbimeve, do të na tregojnë më shumë për inciativën e tyre të quajtur unaVision Kosovo. Pasi kanë mbajtur disa punëtori rreth kopshtarisë urbane gjatë javëve të fundit në Prishtinë, ata do të na shpalosin këtë projekt duke u fokusuar në potencialin e krijimit të vendeve të “gjelbra” të punës (green jobs). Ju do të keni mundësinë të bashkoheni në iniciativën e tyre dhe të merrni pjesë në punëtori pas BarCamp-it.

Arbnore Berisha, e angazhuar në UNICEF Innovations Lab Kosovo, konkretisht në Shtyllën BYFY (By Youth For Youth) si Zyrtare e Lartë për Projekte të Udhëhequra nga të Rinjtë e cila implementohet nga OJQ PEN, do të na shpalosë projektin e quajtur UPSHIFT: Social Impact Workshop. Ky projekt vepron si një "para-inkubator", duke bërë tejkalimin e hendekut në mes të idesë dhe projektit të qëndrueshëm, duke siguruar fonde, pajisje, hapësirë për zyrë, dhe më e rëndësishmja duke ngritur kapacitetet përmes trajnimit dhe mentorimit. Kontributi i Arbnores përfshin fuqizimin e të rinjve për të transformuar idetë dhe problemet shoqërore në projekte inovative dhe aktuale, duke ju ofruar liderëve të rinj përvojë të dorës së parë, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve ndërmarrëse të udhëhequra nga të rinjtë e vendeve të ndryshme të Kosovës.

Lorik Muçaj, themelues i Green Art Center, do të na flasë rreth rëndësisë së përfshirjes qytetare në nisma të ndryshme dhe do të diskutojë konkretisht se si ka ndikuar qytetari si individ në sistemin “EcoFriend” (dizajnimin dhe zhvillimin e EcoFriendit). "EcoFriend" është një mekanizëm i themeluar nga OJQ "Green Art Center – Prishtina (GAC)", i cili synon të krijojë "Klube të Gjelbërta" brenda institucioneve arsimore publike, me qëllim që të promovojë edukimin mjedisor dhe aktivizmin qytetar.

Nëse dëshironi të jeni pjesë e një përvoje të këndshme, ejani të shtunën në teatrin Oda nga ora 16:30. Prania juaj edhe në këtë edicion të BarCamp Prishtina pa dyshim që do t’a bëjë atë edhe më cilësor!
 

Exit mobile version