Site icon Telegrafi

Organizatat që përfaqësojnë komunitetet e margjinalizuara i shkruajnë Kurtit: Kosova duhet të tregojë vendosmëri për të thyer ciklin vicioz të antigjipsizmit

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të cilët punojnë me dhe për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë i kanë shkruar letër kryeministrit të vendit, Albin Kurti ku ndër të tjera thuhet se Kosova duhet të tregojë vendosmëri për të thyer ciklin vicioz të antigjipsizmit, për të mbrojtur barazinë dhe mos-diskriminimin për qytetarët e saj rom, ashkali dhe egjiptianë në mënyrë që t’i gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre themelore të njeriut.

Në këtë letër i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës të paraqesë një propozim legjislativ dhe një dokument strategjik për Barazinë, Përfshirjen dhe Pjesëmarrjen e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve, përfshirë këtu luftimin e antigjipsizmit, mbi bazën e një vlerësimi të plotë të ndikimit dhe në konsultimet sistematike me organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit politik të komuniteteve të lartpërmendura.

Lexoni të plotë letrën:

Ne – përfaqësuesit e nënshkruar të organizatave të shoqërisë civile të cilët punojnë me dhe për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë

Ne – përfaqësuesit e nënshkruar të organizatave të shoqërisë civile që kemi punuar me dhe për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë dhe përfaqësuesit e partive politike rome, ashkalike dhe egjiptase,

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të paraqesë një propozim legjislativ dhe një dokument strategjik për Barazinë, Përfshirjen dhe Pjesëmarrjen e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve, përfshirë këtu luftimin e antigjipsizmit, mbi bazën e një vlerësimi të plotë të ndikimit dhe në konsultimet sistematike me organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit politik të komuniteteve të lartëpërmendura;

Ne jemi të mendimit se propozimi do t’i japë përparësi arritjes së një ndikimi të rëndësishëm pozitiv; i cili duhet të kombinojë aspektet socio-ekonomike me një qasje të bazuar në të drejtat, duke përfshirë një plan për të eleminuar pabarazitë në strehim, shëndetësi, punësim dhe arsim; duhet të përfshijë objektiva specifikë, të krahasueshme, të arritshme, kërkuese dhe të caktuara për të mbrojtur dhe përmirësuar përfshirjen e romëve, ashkalive dhe egjiptasve, duke përfshirë edhe ata që u përkasin grupeve që përballen me diskriminim të shumëfishtë, të tilla si të rinjtë, gratë dhe vajzat, personat LBGTI dhe personat me aftësi të kufizuara; duhet të promovojë arsimin gjithëpërfshirës, zhvillimin e fëmijërisë së hershme dhe të luftojë diskriminimin dhe ndarjen në shkollë; duhet të promovojë qasje të barabartë në punësim në sektorin publik dhe privat; duhet t’i japë përparësi qasjes së drejtësisë, duke pasur parasysh natyrën kolektive dhe strukturore të diskriminimit ndaj këtyre komuniteteve; duhet të përqendrohet në luftën kundër varfërisë dhe antigjipsizmit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shëndetit dhe kombinimin e qasjes së synuar dhe kryesore.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të tregojë se cili nivel i financimit do të nevojitej për të kryer masat e propozuara për përfshirjen e romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve dhe për të deklaruar sasinë e parave në dispozicion për masa të tilla qoftë nga buxheti kombëtar dhe nga BE-ja.

Ne theksojmë nevojën për mbledhjen sistematike të të dhënave të ndara etnike dhe gjinore të fuqishme për të informuar nevojat dhe analizën e kontekstit, për të ndihmuar në vendosjen e synimeve dhe treguesve të ndikimit në mënyrë që të sigurojmë rezultatin më të mirë në drejtim të përputhjes së nevojave me planifikimin dhe buxhetimin, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qëndror.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një mekanizëm gjithëpërfshirës, i cili mund të jetë një Task Forcë, për të siguruar pjesëmarrjen e barabartë të organizatave të shoqërisë civile rome, ashkalike dhe egjiptase si dhe atyre pro-rome, ashkalike dhe egjiptase, ekspertëve dhe anëtarëve të komunitetit nga të gjitha nivelet, duke marrë parasysh perspektivën gjinore në debatin mbi politikat dhe vendimmarrje por edhe për të lehtësuar gjithëpërfshirjen në fusha të tjera të politikave.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të njohë zyrtarisht antigjipizmin si një formë specifike të racizmit kundër romëve, ashkalive dhe egjiptasve (komunitetet të cilat në diskursin publik stigmatizohen si ‘maxhup – ciganë’); i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të trajtojë antigjipsizmin në të gjithë fushat e propozimit pas vitit 2020 drejt këtyre komuniteteve dhe të kërkon masa efektive legjislative dhe të politikave;

Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës për të miratuar Udhëzime dhe një metodologji trajnimi për nëpunësit publik, agjentët e zbatimit të ligjit, nëpunësit shëndetësor, mësuesit, kundër diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të zhvillojë masa për të përmirësuar qasjen në shëndetësi cilësore parandaluese dhe shëruese të përballueshme për anëtarët e komuniteteve të përmendura të ndjeshme etnike, duke përsëritur se një element kryesor në atë drejtim është përmirësimi i qasjes në shërbimet shëndetësore – si qasja fizike ashtu edhe heqja e barrierave të paprekshme të paragjykimit dhe racizmit;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të caktojë fonde të mjaftueshme për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme shëndetësore të anëtarëve të këtyre komuniteteve etnike të margjinalizuara përmes edukimit shëndetësor dhe seksual, përmes aktiviteteve mobile të kontrollit shëndetësor në zona të veçuara, përmes fushatave edukative shëndetësore për parandalim dhe përmes trajnimit të punonjësve shëndetësor dhe social mbi shumëllojshmërinë;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të konsiderojë që arsimimi i fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, duke i përfshirë ata në shërbime të barabarta, të përballueshme, të arritshme dhe përfshirëse të fëmijërisë së hershme dhe të kujdesit për fëmijët; I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të institucionalizojë më tej modele të mira të ndërhyrjes në dhënien e qasjes më të mirë në arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë për fëmijët nga komunitetet etnike të disavantazhuara, siç janë programet e mbështetjes pas shkollës përmes Qendrave të Mësimit dhe programit të mentorimit, tutorimit dhe bursave dhe caktimin e mjeteve të përshtatshme financiare për zbatimin e duhur të tyre dhe / ose sigurimin e fondeve të përshtatshme për OJQ-të që ofrojnë shërbime të tilla;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të sigurojë që të gjitha shkollat dhe inspektoratet në të vërtetë të përmbushin detyrimin e tyre ligjor për ndëshkimin e segregimit jo vetëm në klasa por në shkolla, dhe të angazhohen që çdo vit të mbledhin dhe botojnë situatën e segregimit në klasë dhe në shkollë dhe në të gjitha nivelet, përfshirë sanksionimin e atyre që nuk i respektojnë ato;

Ju rikujtojmë nevojën e menjëhershme për përfshirjen e prindërve në secilën fazë të shkollimit të fëmijëve të tyre; inkurajojmë Qeverinë të zhvillojë programe që synojnë përfshirjen e prindërve në procesin e shkollimit dhe zhvillimit arsimor dhe personal të fëmijëve të tyre.

I bëjmë thirrje Qeverisë që të sigurojë qasje të barabartë të fëmijëve në arsim me cilësi të lartë, duke përfshirë shërbimin e mësimit në komunitet dhe mundësitë e të mësuarit gjatë gjithë jetës; i bëjmë thirrje Qeverisë që të adresojë në mënyrë strukturore respektimin e diversitetit, të kuptuarit ndërkulturor dhe të drejtat e njeriut në programet mësimore të rregullta shkollore dhe media; dhe të përfshijnë trajnime për të drejtat e njeriut, lidership dhe qytetari demokratike, si dhe historinë e komuniteteve etnike në programet e tyre shkollore.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të investojë në ndërtesa sociale dhe të përballueshme për të zhdukur mbingarkesën e kostos së strehimit tek komunitetet etnikisht të margjinalizuara dhe të varfra;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të hartojë masa për të mbështetur gratë rome, ashkalike dhe egjiptase për të përmbushur plotësisht potencialin dhe mundësitë e tyre për të vepruar si qytetare aktive të pavarura, të sigurta në vetvete dhe të emancipuara;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për të siguruar shërbime cilësore të punësimit për të rinjtë të cilët po luftojnë me varfërinë ekstreme, përfshirë ata që nuk janë në punësim, aftësim dhe trajnim.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të krijojë një Mekanizëm në lidhje me promovimin e punësimit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në institucionet publike duke përfshirë nivelin lokal dhe qendrorë, institucionet qeveritare dhe ndërmarrjet publike.

Nënshkruesit:

Isak Skenderi (Drejtori Ekzekutiv, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve), Muharem Arifi (Drejtori Ekzekutiv, Balkan Sunflowers Kosova), Bekim Syla (Drejtori Ekzekutiv, Roma and Ashkali Documentation Center), Bashkim Ibishi (Drejtori Ekzekutiv, Advancing Together), Berat Thaqi (Drejtori Ekzekutiv, Bethany Christian Services), Veton Mujaj (Drejtori Ekzekutiv, Syri i Vizion), Petrit Tahiri (Drejtori Ekzekutiv, Kosovo Education Center), Arbon Osmani (Legal Representative, the Ideas Partnership), Florina Sefaj (Country Representative, Terre des hommes)

Exit mobile version