Veteranët thonë se nuk i kanë dashur protestat në këtë kohë pandemie.
Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, thotë se qysh në vitin 2015 e kanë ditur se Gjykata Speciale do të jetë e dëmshme për Kosovën.
Jashari në “Debat Plus” thotë se nuk kanë qenë kundër krijimin të një gjykate që heton krimet por sipas tij ajo do të duhej të bëhej nga vet institucionet e Kosovës.
“Sot kjo Gjykatë Speciale po bën spektakël edhe pse i ka skaduar afati. Qëllimi i vetëm i kësaj Gjykate është të barazoj luftën e pastër të UÇK-së me gjithë ato krime që ka bërë Serbia ndaj Popullatës në Kosovë”, deklaroi Xhavit Jashari, përcjell Telegrafi.
Ndërsa Metush Kryeziu nga OVL UÇK thotë se kjo organizatë gjithmonë ka qenë kundër protestave në kohë pandemie me qëllimin që sipas tij të mos infektohen ish-luftëtarët e UÇK-së, por sipas tij aktakuzat e fundit e kanë ndryshuar situatën.
“Këto dy ditët e fundit ishin të rënda. Nuk është në pyetje vetëm emri Hashim apo Rexhep, por janë në pyetje krerët e luftës së UÇK-së”, deklaroi Kryeziu.
Xhevdet Qeriqi nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të ish-ushtarëve të UÇK-së thotë se dy ditën e fundit ishin më të rënda për ish-ushtarët e UÇK-së.
“Pas arrestimit të “Colit”, dita e djeshme dhe kjo e sotmja kanë qenë më të rëndat për ne si ish-luftëtarë të UÇK-së por edhe për vendin pasi i është ngritur aktakuza Presidentit të vendit”, deklaroi Xhevdet Qeriqi./Telegrafi/