Organizata Makerspace Innovation Center Prizren ka shënuar gjashtë vjetorin e themelimit, në një kremte ku morën pjesë qindra të rinj, që ndjekin kurse trajnimi në programe të ndryshme në fushën e ndërmarrësisë, edukimit joformal a inovacionit.
Në një postim në rrjetet sociale të kësaj organizate thuhet se “rrugëtimi ka nisur si një vizion i një grupi pasionatësh për teknologjinë dhe krijimtarinë” për mijëra të rinj në qytetin e Prizrenit.
“Makerspace Innovation Center është shndërruar në një qendër të jashtëzakonshme të përkrahjes së startupeve me programe ndërmarrësie, platformë e shkëmbimit të ideve dhe një qendër e hapur për ngritjen e kapaciteteve të të rinjve përmes programeve trajnuese dhe të punësimit, vatër rrjetëzimi për një komunitet të tërë pa dallim, e një hapësirë për të gjithë me energji krijuese dhe motivuese! Në këtë 6 vjetor, ndajmë përjetimet e përbashkëta, sukseset, sfidat dhe arritjet që kemi shënuar deri sot! Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e rrugëtimit tonë!” thuhet në mesazhin e kësaj organizate.
Disa nga programet më të njohura janë Idea to Scale, Power Up, KODE, EDGE e shumë të tjerë duke bashkëpunuar nga afër me shumicën prej organizatave kryesore ndërkombëtare në vend si GIZ, ITP, USAID, Komuna e Prizrenit, HELP Kosovo, Swiss Ep, etj.
Dhjetëra kompani të reja innovative kanë dal nga programet e Makerspace sikurse janë Casper Scooters, Termini.Beauty, Pikpik, Dachclass, Simularch Studio, Rentby, MTECH Studio, Parks, etj.
Po ashtu, nga viti i kaluar, Makerspace IC Prizren ofron edhe hapësirën e veçantë të Coworking Space ku mund të shfrytëzohen zyrat dhe hapësirat gjatë 24 orëve.