Site icon Telegrafi

Organizata e Rilindjes duhet të shkrihet

Përgjimet mbi organizatën e strukturuar të Rilindjes dhe, mbi të gjitha, reagimi i saj pas publikimit të tyre, ka sjellë në rend të ditës si të vetmen rrugëzgjidhje, shkrirjen e organizatës dhe rikthimin tek partia politike dhe rregullat normale të funksionimit të saj.

Manipulimi zgjedhor, që doli në dritë pas audiove të “Bild”-it, ishte një dëshmi e qartë se mekanizmi elektoral, që deri dje ka qenë shpesh i dëmtuar nga ndërhyrjet e forcave politike, këtë herë ka funksionuar si një skemë e pastër mafioze, që nga drejtimi direkt i kupolës e deri tek shantazhi i votuesve të thjeshtë.

Sigurisht, në Shqipëri janë shënuar raste të rënda të dëmtimit të zgjedhjeve, janë rrëmbyer kuti ditën dhe natën, është përdorur Gjykata Kushtetuese për të shpërndarë mandate deputetësh apo KQZ për të zhbërë rezultate si ai zgjedhjeve në Tiranë në vitin 2011. Në të gjitha këto raste, përgjegjësit kanë qenë të shënjuar në sytë e të gjithëve dhe partitë e njollosura e kanë marrë faturën e rëndë mbi vete për këto akte të shëmtuara. Por, në asnjë rast, asnjë parti e madhe politike, PD ose PS, nuk kishte shkuar në manipulimin dhe deformimin deri në qelizë të një procesi elektoral.

Angazhimi i kriminelëve jo thjesht si mjet presioni ndaj kundërshtarit, por si pjesë e procesit, madje duke arritur edhe të zgjidhen vetë si përfaqësues të popullit; përfshirja direkt e kryeministrit dhe ministrave me lloj-lloj personazhesh që kontrollojnë votën; presioni i neveritshëm për bukën e gojës ndaj nëpunësve që paguhen nga taksat e shqiptarëve; blerja e turpshme e votës së nevojtarëve që qeveria i ka lënë në mjerim; përdorimi i policisë dhe mjeteve shtetërore për të penguar kundërshtarët politikë etj., nuk janë metoda të një partie politike, qoftë edhe në kohën me të errët të saj, por të një organizate të strukturuar që s’ka lidhje me përgjegjësinë ndaj qytetarëve, por me bindjen e verbër ndaj hierarkisë së pushtetit.

Rilindja prej kohësh e ka asgjësuar Partinë Socialiste. Nuk ka më zgjedhje, nuk ka zëra kundër, nuk ka debat, nuk ka alternativa në përzgjedhjen e kandidatëve dhe përfaqësimi më i lartë politik, siç është Qeveria, është katandisur tek disa anonimë, vullnet dhe tekë e kreut të organizatës. Kësisoj organizatës nuk i intereson as cilësia e qeverisjes dhe as përgjegjësia politike para votuesve, por kontrolli i tyre me çdo mjet dhe metodë si e vetmja mundësi për të mbajtur pushtetin.

Kush dëgjon përgjimet e Dibrës, më të drejtë mund të pyesë: ore, po ç’i duhej Edi Ramës me çdo çmim kjo bashki, sa të mobilizonte një strukturë të tërë, nga ministrat e deri te banditët për ta fituar atë? A ia vlente risku i një manipulimi të rëndë për Dibrën ndërkohë që kontrollonte thuajse gjithë vendin? Organizata nuk i bën llogaritë në këtë mënyrë, me ndjeshmërinë e një force politike që ka si qëllim të përmirësojë jetën e qytetarëve. Organizata duhet të tregojë forcë, mbi të gjitha në bastionet e kundërshtarit, për ta frikësuar atë, për ta shantazhuar dhe për t’u ngulur në kokë njerëzve se është ajo dhe vetëm ajo që ka në dorë gjithçka, vetë jetën e tyre. Të gjithë duhet t’i nënshtrohen dhe ta pranojnë si alternativë të vetme. Puna, buka e përditshme, arsimi, kujdesi shëndetësor, rruga, uji, e ardhmja e fëmijëve, nuk janë çështje që rregullohen nga qeverisjet e mira dhe alternimi i tyre, por nga vullneti i Padrinos. I atij që komandon organizatën.

Nuk është rastësi që në këto përgjime, por edhe në shumë afera e skandale të tjera, nuk dalin të përfshirë emra socialistësh të vjetër. Nuk del Pandeli Majko, Vasilika Hysi, Bashkim Fino, Erjon Braçe, etj. Ata janë tek rregullat politikë të luftës me kundërshtarin. Në organizatë veprojnë ata që kapitalin politik e kanë të lidhur me shërbimin ndaj kreut dhe jo ndaj qytetarëve.

Një parti politike do të reagonte ndryshe pas daljes në dritë të këtyre përgjimeve të frikshme. Pavarësisht procedurave ligjore, përgjegjësia politike do të duhej të prevalonte. Figurat e kapura me presh në dorë, nga shefat e policisë e deri tek kandidatët aktualë për kryetarë bashkish do të duhej të pezulloheshin e shkarkoheshin. Akti moral e ç’tensionon situatën dhe i jep mundësi një partie të kërkojë ndjesën e publikut. Organizata nuk vepron kështu, nuk veproi as për Durrësin e nuk do të veprojë as për Dibrën. Akti moral për të është dobësi dhe asaj i duhet të tregojë forcë për të mbajtur në këmbë mekanizmin ekstrapolitik që i garanton pushtetin. Reagimi i vetëm që njeh ajo, është mohimi dhe akuza ndaj kundërshtarit.

Mirëpo, kjo mënyrë e qeverisjes dhe e kontrollit të shtetit, që eleminon konkurrencën politike, e çon vendin në përplasje. Nënshtrimi ndaj organizatës nuk mund të zgjasë përjetësisht. Prandaj është koha e përgjegjësisë politike. Rilindja duhet t’i hapë rrugë Partisë Socialiste për të rikthyer normalitetin në vend. Mjafton edhe pohimi i atyre, që i bëjnë fresk qeverisë, se fenomene të tilla kanë ndodhur edhe më parë, për të ndëshkuar ata që po i përsërisin ato. Organizata dështoi në premtimin e saj të madh për të bërë shtet dhe një Shqipëri më të mirë, tani Shqipëria duhet të çlirohet prej saj. Niçet apo keshët nuk janë as Partia Socialiste dhe as vullneti i qytetarëve. Dhe as Dibra nuk është modeli për të mbajtur përjetësisht pushtetin. Sa më parë të kuptohet kjo, aq më shumë do të largohet konflikti për t’i lënë vend politikës.

Exit mobile version